E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alegri para finales

Masimiliano Alegri kërkon të bëjë rolin e “të fortit”, ndërsa shanset për të kaluar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ekzistojnë, po ashtu si edhe mundësia për të rifituar titullin kampion në Itali. Një ditë para ndeshjes ndaj Barcelonës në “Kamp Nou”, trajneri kuqezi ka gati recetën.

“Do të luajmë ndaj më të fortëve të botës, - u shpreh ai, - duhet të luajmë si në ndeshjen e parë, por për më tepër të shënojmë gol. Barazimi 0-0 na jep forcë”.

Dy ditë pas sulmit ndaj Bepe Marotës së Juventusit, Alegri pyetet për afrimin e bardhezinjve në renditje. “Juventus po ecën shumë mirë, por jo më mirë sesa ne, pasi mbetet 2 pikë prapa në renditje”, - thotë ai. “Fitoret 5-0 ndaj Fiorentinës, 2-0 ndaj Interit dhe 3-0 ndaj Napolit tregojnë se Juve është shumë në formë dhe lufta për titull do të zgjasë deri në fund”, - thekson trajneri.

Megjithatë, vëmendja kryesore është tek Championsi. “Do të kemi përballë Barcelonën më të mirë të sezonit, bëhet fjalë për kualifikimin për në gjysmëfinale të Championsit, ndaj kampionati mund të presë pak ditë”, - kërkon Alegri.

Aleshandre Pato është një përforcim shumë i mirë për fundin e sezonit për Milanin. “Në Barcelonë do të kem 5 sulmues dhe njëri prej tyre duhet të qëndrojë në stol, - thotë ai, - Pato ka ardhur shumë i qetë nga Amerika, është një blerje për ne këta dy muaj që mbeten. Mund të luajë shumë mirë për 30 minuta edhe pa pasur shumë stërvitje”. Por Nesta mbetet në dyshim, edhe pse shpresohet të bëhet gati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›