Berisha-Stoltenberg: Bashkëpunim në fushën e energjisë
Shqipëria ka marrë mbështetjen e Norvegjisë për investimin e kompanive të saj në fushën e energjisë. Kjo temë si dhe investime në turizëm për në vendin tonë janë diskutuar në një takim që kryeministri Sali Berisha ka pasur me homologun e tij novergjez Jens Stoltenberg. Gjatë një konferencë për shtyp dy kryeministrat kanë vënë theksin në investimet në energji.
“Pa dyshim çështja më madhore ishte energjia. Dy ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze në fushën e energjisë, Statkraft dhe Statoil, janë të përfshira thellësisht në punën në Shqipëri. Edhe kompani të tjera po punojnë. Kryeministri më siguroi që do të mbështesë plotësisht investitorët dhe kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, si dhe të fuqizojmë bashkëpunimin në këtë fushë kaq nevralgjike, siç është energjia. Folëm, gjithashtu, për investimet në turizëm. Unë e informova, gjithashtu, Kryeministrin për dëshirën time për t`u bërë të gjelbër në çështjet e energjisë, gjithashtu, edhe në pyllëzim”- deklaroi Berisha.
Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe kryeministri norvegjez duke theksuar zgjerimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
“Ne shqyrtuam mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit, veçanërisht, në fushën e energjisë, në sektorin hidro-energjtik ku kompanitë norvegjeze dhe një kompani e quajtur Statkraft po marrin pjesë në zhvillimin e një projekti të madh të hidrocentraleve në Shqipëri, në Devoll. Gjithashtu, diskutuam potencialin e zhvillimit të bashkëpunimit në të gjitha format e energjisë, të energjisë se gjelbër, energjisë diellore, por, gjithashtu, edhe gazit, projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili është në plan për të kaluar përmes Shqipërisë”-tha ai.
Ndërsa më herët kreu i qeverisë shqiptare i cili ndodhet në një vizitë në mbretërinë e Norvegjisë ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë të këtij shteti si dhe ka marrë pjesë në forumin ekonomikë Shqipëri-Norvegji.