E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Synimi ynë kryesor, kompletimi dhe fuqizimi i infrastrukturës drejt detit

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e rrugës Tale – Lezhë. Rruga, me gjatësi rreth 10 kilometra, është realizuar me investim të buxhetit të shtetit. Berisha e konsideroi rrugën shumë të rëndësishme në rrjetin infrastrukturor në vend, i cili synon ta kthejë kombin drejt detit.

“Kjo është një nga drejtimet më kryesore të qeverisë. Në këtë mënyrë, ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për të kthyer kombin për së mbari dhe, për së mbari është kombi që shikon nga deti”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri u ndal në projektet e tjera shumë të rëndësishme në infrastrukturë që priten të inaugurohen në vijim si rruga Mamurras - Patok, unaza e qytetit të Laçit dhe fillimi i punimeve për stadiumin, inaugurimi i  rrugës së Patokut, inaugurimi i 2 loteve të rrugës së Arbrit, që zbresin deri në Klos, etj.

“Nga Velipoja, deri në Ksamil, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë që të çon drejt detit, të paasfaltuar”, theksoi Kryeministri Berisha.

Kryeministri siguroi se qeveria është tërësisht e angazhuar të kompletojë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t’u kthehet edhe zonave malore, në mënyrë  që edhe atje të ecet drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit.

Gjithashtu, Kryeministri garantoi se 4 vitet e ardhëm do të jenë vitet e ndërtimit të ujësjellësve dhe të garantimit të  ujit të pijshëm 24 orë. Do të jenë gjithashtu vitet e ndërtimit të një sistemi modern ujitjeje, ndër më bashkëkohorët, në mënyrë që fermat shqiptare të jenë konkurruese dhe të qëndrojnë denjësisht krahas fermave më të zhvilluara europiane.

Fjala e plotë e kryeministrit

Të dashur qytetarë të Tales dhe Shënkollit,

Ju përshëndes përzemërsisht me mirënjohjen më të thellë dhe ju falënderoj për mbështetjen e madhe që i dhatë mazhorancës aktuale  më 28 qershor.

Dua të shpreh kënaqësinë time të madhe që, së bashku me ju, inaugurojmë sot lotin e fundit të rrugës Tale- Bregdet, rrugë kjo me gjatësi prej rreth 10 kilometra. Kjo është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme, së pari, për banorët e kësaj zone, sepse u jep atyre mundësinë që të tregtojnë më shpejt prodhimet e tyre të  mrekullueshme. Shënkolli është një nga zonat bujqësore më të fuqishme të vendit.

Por rruga është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme për infrastrukturën, e cila synon ta kthejë kombin drejt detit. Ky është një nga drejtimet më kryesore të qeverisë sime. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që qytetarët shqiptarë të kthejnë sytë nga deti, të prekin detin, të ndjehen sa më pranë tij. Këtë vit, në kronika të përsëritura televizive, kam parë me kënaqësi se plazhi juaj ka qenë më i populluar se asnjëherë tjetër. Ju garantoj se vitin që vjen, plazhi i Tales, do të jetë një nga më të kërkuarit, një nga më të preferuarit, sepse i ka të gjitha bukuritë, ka të gjitha kushtet, ka një rërë të mrekullueshme, ka detin ndër më të pastrit dhe ka mbështetjen për furnizim ndër më të shkëlqyerat. Në këtë mënyrë, ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për të kthyer kombin për së mbari dhe, për së mbari është kombi që shikon nga deti. Ne po përfundojmë ndërtimin e kësaj rruge, pas disa ditësh do të inaugurojmë rrugën Mamurras - Patok dhe, nga Velipoja, deri në Ksamil, në mënyrë absolute, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë që të çon drejt detit, të pa asfaltuar.

Shqipëria nuk ka nevojë për fjalë, ka nevojë për vepra, ka  nevojë për punë, ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për investime. Kjo është ajo për të cilën zotohemi ne.  Ndaj edhe unë ju garantoj se në komunën tuaj, do të mbështesim dhe financojmë çdo projekt tuajin. Por, nga ana tjetër, jemi dëshmitar edhe të  ndryshimeve të mëdha që ka pësuar kjo komunë gjatë 3 viteve të fundit. Edhe më të mëdha do të jenë ndryshimet gjatë viteve që vijnë.

Ne jemi angazhuar të kompletojmë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e  ultësirës bregdetare dhe t’u kthehemi edhe zonave malore, në mënyrë  që edhe atje të ecim drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›