E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha TAP ndikim direkt ne nivelin e jeteses Sekui Perfiton Shqiperia

Projekti TAP ka një rëndësi të madhe për Shqipërinë me ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Etore Sekui në konferencën për zhvillimin e tregut të gazit.
Për Shqipërinë tha kryeministri Berisha, TAP përbën kryeprojektin e saj në procesin e një industrializimi dhe projekti më strategjik për Europën dhe më me perspektivë në fillimet e këtij shekulli. Ai ka garantuar se do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga ky projekt, për një partneritet luajal.
“Është pa mëdyshje projekti më vizibël çka u bën nder të veçantë atyre që kanë vitë që punojnë me përkushtim në këtë projekt. Është projekti më strategjik për Europën se diversifikon burimet energjetike të saj sikundër lidh më ngushtë në korridore energjetike rajone të saj, Turkmenistanin dhe zona të tjera. Për Shqipërinë TAP përbën kryeprojektin e saj në procesin e një industrializimi. Ne po bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh ndaj konsorciumit dhe për partneritet luajal e serioz në këtë projekt të madh”- vijoi më tej ai, ndërsa u shprehu partnerëve të Shqipërisë në këtë projekt për gatishmërinë që kanë shprehur për të ndihmuar vendin tonë në masterplanin e gazifikimit.

“I rëndësishëm është që qytetarët shqiptarë të përfitojnë në maksimum në nivelin e jeteses së tyre nga përdorimi i gazit në katër skajet e vendit. Shqipëria është në rrugën e transformimit të një superfuqie energjetike në rajon” – shtoi kryeministri.

Ai e konsideroi Shqipërinë një Norvegji të vogël në në Gadishullin e Ballkanit, me depozita enorme hidrokarburesh për të cilat kompanitë më serioze po eksplorojnë të bindura për sukses të pashmangshëm në zona të vendit.
“Shqipëria ka pozicion gjeografik më të përshtatshëm përballë Italisë në treg gjigant energjetik në një ngushticë që të kujton Gjibraltarin. Të gjitha këto e bëjnë projektin TAP jetik të një rëndësie strategjike dhe unë dua t’i garantoj partnerët se do bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga marëveshjet multiratelae me vendet fqinj dhe konsorciumin TAP”.

Berisha u shpreh i vendosur të bashkëpunojë për zgjerimin e hapësirave të tregut në veri të Ballkanit e më gjerë për këtë projekt si edhe të vërë në dispozicion depot e gazit. Në ktë kontekst kryeministri theksoi se gazi ka një rëndësi parësore për vendin, ai përmendi edhe masat e marra nga qeveria për përmirësimin e klimës së biznesit çka e ka bërë atë një vend të lakmueshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Ne do bëjmë gjithçka për tregun më liberal, për standardet më të hapura në këtë fushë. Ne jemi një konsumator i parëndësishëm po kjo është vetëm përshtypja e parë. Në të vërtetë tregu i gazit në Shqipëri do ketë një partner shumë të rëndësishëm. Shqipëria përveç ambicies për t’u shndërruar në superfuqi energjetike rajone disponon pellgjet botërore të kromit, nikelit, hekur, hekur-nikelit, bakrit, të cilat në vitet që vijnë do njohin në Shqipëri të gjitha proceset e përpunimit”.

Sekui: KE gati të mbështesë projektin TAP
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Etore Sekui tha se KE do të bëjë çfarë është e mundur që kjo projekti TAP të realizohet në Shqipëri.

Ai u bëri apel përfaqësuesve të TAP, pjesëmarrës në konferencë, që të shfrytëzojnë tregun shqiptar që ka nevojë për gaz, por njëkohësisht të investojnë. 
“Me gazsjellësin e Kaukazit verior që do sjellë gaz në Shqipëri ne presim që tregtarët komercialë të sjellin atë që kanë premtuar. Gjithë Korridori të jetë fleksibël dhe të rrisë tregun në gjithë vendin ku kalon. Korridori nuk duhet të ndalojë, por duhet të vijojë me rritjen e kërkesës. Është kredit për Shqipërinë që ky investim të vijë në këtë vend. Shqipëria duhet të jetë më shumë se një vend pritës, pjesmarrës në zhvillimin e Europës. TAP duhet të integrohet dhe të bëjë investime në Shqipëri. Ka mundësi të ketë përfitime të pritshme në Shqipëri, ku dhe Shqipëria duhet të përfitojë sa më shumë nga ky investim”. 

Haxhinasto: Gazifikimi nxit zhvillimin ekonomik
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto theksoi se gazifikimi nxit zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa projekti TAP ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi. Ai tha se Shqipëria ka një kërkesë në rritje nga tregu i energjisë, ashtu sikundër vendet e rajonit. 
“Shqipëria do vazhdojë të ketë një kërkesë për rritje nga tregu rajonal i energjisë. Nga ana tjetër dhe shumë vende të tjera të rajonit do vazhdojnë të plotësojnë balancën për energji elektrike. Vihet re një nevojë për energji nga rajoni”. 
Sipas Haxhinastos, Shqipëria ofron një treg të mundshëm për gazin natyror, por me perspektivë të madhe në rritje.

TAP: Gazifikimi rrit mundësitë e punësimit
Gjatë fjalës së tij në konferencën për zhvillimit e tregut të gazit në Shqipëri, përfaqësuesi i TAP-it theksoi e ky projekt përfaqëson një mundësi të madhe për Shqipërinë, për investimet e huaja, rritjen e punësimit apo zhvillimin rural të vendit. Përfaqësuesi i TAP bëri të ditur se disa nga seksionet e gazsjellësit do të ndërtohen në zona të largëta të vendit dhe si rezultat do të ndërtohen edhe rrugët që të çojnë në këto zona. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›