Berisha: Taksat nuk do të rriten, Rama urrejtje arkaike ndaj të pasurve
“Problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburit, por zgjidhen duke bërë çdo gjë që edhe të varfrit të bëhen të mëkëmbur”
Hartimi dhe miratimi nga Partia Socialiste i programit politik ka bërë që debati të zbresë nga retorika politike në një debat të mirëfilltë teknik. Objekt është bërë pikërisht propozimi që bën PS në këtë program për tatimin progresiv në krahasim me taksën e sheshtë që praktikohet aktualisht nga qeveria. Edhe dje, duke folur nga kalaja e Petrelës, ku mori pjesë në panairin e agro-biznes-turizmit, i organizuar nga disa komuna kufitare të Tiranës, kreu i qeverisë ka atakuar këtë linjë që ka vendosur të ndjekë PS përsa i përket çështjes së taksimit, duke theksuar se ajo kërkon të godasë të pasurit dhe nuk jep shpresë për të varfrit.
Taksa
Duke folur nga Petrela, shefi i ekzekutivit, teksa i ka mëshuar fort zhvillimit të turizmit të zonave kufitare me Tiranën, ka theksuar se bizneseve apo lokaleve që veprojnë në to u duhet dhënë mbështetje nga qeveria për të rritur kapacitetet e tyre të punësimit, dhe jo taksa më të larta, siç parashikon programi i PS-së. “Në këtë luginë, në këtë zonë, në këto kodra, janë dhe funksionojnë lokalet më të mira të kryeqytetit, të bëra të famshme për gatimin e tyre, për shërbimin e tyre, për të gjithë kënaqësinë që u krijojnë klientëve të tyre. Dua t’i përgëzoj dhe ata për investimin që kanë bërë dhe dua t’i garantoj se qeveria jo vetëm që nuk do të rrisë taksat, siç kërkon zoti Rama, me një urrejtje arkaike ndaj të pasurve. Unë i them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburit, por zgjidhen duke bërë çdo gjë që edhe të varfrit të bëhen të mëkëmbur”, - tha Berisha. Në rast se rriten taksat e bizneseve, ka theksuar Kryeministri, atëhere ato do të pësonin goditje dhe për rrjedhojë do të punësonin më pak njerëz. “Në qoftë se ti rrit taksat, siç thua, për të shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra-mijëra vende pune, nuk bën gjë tjetër veçse thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd, por kjo kohë ka perënduar dhe nuk kthehet më. Merru me kujtimet e tua”, - ka theksuar kreu i qeverisë.
Panairi
Kryeministri ka qenë bujtës dje në panairin “Bahçja e Tironës”, organizuar nga komunat e Petrelës, Bërzhitës, Baldushkut dhe Farkës, ku ishin ekspozuar prodhime bujqësore, blegtorale, pemëtari dhe punime artizanale të këtyre zonave. Qëllimi i organizimit të këtij panairi ishte promovimi i prodhimeve tradicionale të zonave të tyre si dhe anën piktoreske të periferisë së kryeqytetit. Ky promovim nisi me turin e një grupi motoristësh shqiptarë, të cilët me Harley Davidson-ët e tyre, përshkruan rrugët dytësore, që lidhin këto 4 komuna me njëra-tjetrën, por që janë ende të pazbuluara nga qytetarët e Tiranës dhe turistët. Është hera e parë që në Shqipëri zhvillohet një tur i tillë për të promovuar bukuritë natyrore dhe infrastrukturën rrugore, që ofrojnë këto zona, tur i cili përfundoi me panairin në sheshin e komunës së Petrelës, në të cilin më pas mori pjesë edhe Kryeministri. Në fjalën e tij përshëndetëse Berisha ka vënë theksin tek nevoja që këto zona ashtu si edhe të gjithë fermerët në të gjithë vendin të shtojnë prodhimin e tyre për fruti-kulturën. “Ne kërkojmë, të dashur fermerë të komunave Farkë, Petrelë, Baldushk, Bërzhitë dhe të gjitha komunave të Shqipërisë, vetëm një gjë, të vendosim të dhjetëfishojmë, të qindfishojmë, drurët frutorë në këtë vend. Kjo është një rrugë e sigurt e begatimit të familjeve tuaja. Kjo është një rrugë e sigurt e begatimit të komunave tuaja, e begatimit të vendit tone”, - u shpreh Berisha, ndërsa ka garantuar krerët e pushtetit lokal se do të kenë të gjitha kompetencat për të arritur këtë qëllim.