E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 95% e shqiptarëve do paguajnë më pak

Ashtu siç është bërë e modës kohët e fundit, menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, vjen edhe reagimi i kreut të opozitës, Edi Rama, në faqen e tij në Twitter. Referuar pikërisht pohimeve të bëra nga Kryeministri gjatë panairit të Petrelës, lidhur me politikën e taksave, kryetari i PS ka sqaruar se në qeverisjen e socialistëve qytetarët do paguajnë më pak, ndërsa bizneset do të jenë të lirë të ushtrojnë aktivitetet e tyre në një konkurrencë të ndershme. “95% e shqiptarëve do paguajnë më pak, ndërsa biznesmenët do shpëtojnë nga kthetrat e bizneseve të pushtetit”, - shprehet Rama në Twtter. Më tej në një replikë në distancë me kryeministri Berisha, Rama vlerëson se të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, ndërsa ka premtuar se nuk do të ketë një shumicë qytetarësh që ngarkohen me një barë të rëndë taksash dhe një pjesë të vogël që pasurohet prej tyre. “Për cilët të pasur e ke fjalën Sali, për 99% të tyre që po i mbyt apo për 1% që po i majm? Të gjithë do paguajnë sa u takon”, - thekson më tej Rama në faqen e tij në Twitter. Debati për mënyrën e taksimit lindi pasi selia rozë përfshiu në programin e saj si prioritet reformën në sistemin e taksave, duke premtuar që të heqë taksën e sheshtë dhe të vendosë taksimin progresiv. Sipas këtij plani, socialistët parashikojnë që të bëjnë të mundur që ai që fiton më shumë të tatohet më shumë, ndërsa ai që fiton më pak të tatohet më pak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›