E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Nano kërkon mbështetjen e Arvizus

Pas takimit, ambasadori Arvizu u shpreh se gara do të jetë e vështirë.

“Dua të nënvizoj që ky është një proces plotësisht, qartësisht shqiptar. Është një proces që ka lidhje me të ardhmen e këtij vendi dhe drejtimin e tij, sikurse edhe lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë në rajon, perspektivën në BE apo marrëdhëniet me SHBA. Ne nuk po flasim për zgjedhjen e një ministri të kabinetit qeveritar, por për Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Kështu që kërkesat janë të vendosura qartësisht në Kushtetutë, mbi të gjitha duhet të jetë një process Kushtetues. Jam besim plotë që kryeministri dhe çdo shqiptar e kupton këtë shumë mirë”, tha Arvizu pas takimit.

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, solli edhe rastin e 21 janarit, duke theksuar se kishte pasur një takim me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama gjatë së premtes dhe priteshin të bëheshin akuzat. “Jam takuar të premten me Kryeprokuroren dhe ajo është gati të sjellë akuzat. Do ta lë atë që të jetë më specifike për natyrën e këtyre gjetjeve. Dhe sikurse ju e dini ky proces ka qenë tejet kritik në pikëpamjen tonë, në atë që ka ndodhur në atë ditë të tmerrshme dhe sikurse shumë shqiptarë të enjten e kaluar kanë ndjekur intervistën e z. Nano, ku vuri disa pika të rëndësishme por më e veçanta është ajo që ka lidhje me 21 janarin. Komentet që bëri ai ka të ngjarë të jenë më objektivet dhe më të baraspeshuarat që kam parë të bëhen deri më sot. E di që jo të gjithë e besojnë këtë, ka pasur një parlamentar që ka komentuar në “Facebook” që nuk ka rënë dakord me këtë. Ai ka të drejtë të japë pikëpamjet e tij, por unë nuk jam dakord absolutisht me të dhe kur e them këtë kam në memorien time familjet e atyre viktimave. Në këtë moment kemi nevojë për njerëz që japin mendime të vyera për të ardhmen e këtij vendi, ajo që nuk na nevojitet janë komentet e lira të cilat janë bërë vetëm për një qëllim të shkurtër politik. Mendoj se kemi nevojë për një lidership për këtë hetim dhe këto gjëra janë të përkufizuara te zoti Fatos Nano”, vijoi Arvizu. 

Kandidati Fatos Nano tha se kishte diskutuar për platformën e tij për të ardhur në krye të Presidencës, teksa specifikoi se çfarë ishte diskutuar konkretisht.  “Takimi me Ambasadorin Arvizu pjesë e konsultimeve që kam nisur. Ndajmë arsyetime të njëjta me ambasadorin Arvizu”, tha Nano. Pyetjes së bërë në lidhje me deklaratat e kryeministrit Berisha se mazhoranca do të ketë kandidatin e saj, Nano u shpreh: “Kryeministri është përfaqësues i mazhorancës dhe ai po bën mirë punën e tij. Ai nuk është një politikan i rekordeve të pjesshme. Unë nuk mund ta marr kryeministrin në mënyrë kaq të pjesshme”. /Start/

                                                                                             2012-04-23 08:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›