Berisha: Të hapur për sistemin antiraketë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, konfirmoi dje “ndërhyrjen” e aleancës në lidhje me disa ndryshime të parashikuara për t’u kryer në ligjin shqiptar për Shërbimin Informativ të Shtetit. Pas takimit kokë më kokë me Kryeministrin Berisha, në konferencën e përbashkët për shtyp Rasmussen pohoi se mes tij dhe Kryeministrit ishte folur në lidhje me këtë çështje, por nuk pranoi ta komentonte atë gjatë, duke e konsideruar një çështje sigurie. Sakaq, Kryeministri Sali Berisha, i pyetur nga mediat, u shpreh se Shqipëria është e gatshme të instalojë në territorin e saj mburojën antiraketë, nëse kjo do të kërkohej nga aleanca. “Shqipëria është e gatshme që t’i japë përgjigje pozitive çdo kërkese të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ajo e gjykon të nevojshme apo të domosdoshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, theksoi Berisha. Kreu i NATO-s, i pyetur për ligjin mbi SHISH-in, tha se “dua të konfirmoj që unë kam pasur një telefonatë me Kryeministrin Berisha dhe sot ne kemi diskutuar edhe atë çështje, si dhe çështje të tjera. E dyta, unë përfundimisht nuk kam ndër mend të komentoj për çështjen e shërbimit sekret ose të sigurisë”. Por ndonëse kreu i aleancës u angazhua për të mos miratuar ato ndryshime në ligj, dje theksoi se kishte besim të plotë se “qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni në Shqipëri do të të jetë në përputhje të plotë me rregullat e NATO-s”. Po kështu, Rasmussen foli edhe për situatën politike në vend dhe bojkotin e opozitës. “është e vështirë të takosh opozitën kur ajo nuk është në Parlament”, u shpreh Rasmussen teksa u pyet pse mungoi një bashkëbisedim i tillë. Në një intervistë për “Ora News” ai sqaroi se inkurajon opozitën që të aktivizohet pozitivisht dhe aktivisht në jetën e vendit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, është e rëndësishme që opozita të kthehet në Parlament për t’u angazhuar plotësisht në jetën politike të vendit. “Nga përvoja ime e gjatë si anëtar i Parlamentit në vendin tim, mendoj se mënyra më e mirë për të fituar influencën, gjithashtu edhe për opozitën, është të jetë në jetën politike, duke përfshirë edhe zënien e vendeve në Parlament. Këtë unë e konsideroj si angazhim pozitiv”, sugjeroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Në lidhje me pozicionin e opozitës dhe zgjedhjet e kaluara parlamentare, foli edhe Kryeministri Berisha, i cili theksoi se ai ishte i hapur për transparencën e tyre, por brenda kritereve kushtetuese. Berisha e siguroi drejtuesin e lartë të NATO-s se zgjedhjet e kaluara kishin qenë më të mirat që ishin zhvilluar ndonjëherë në vend. “Zgjedhjet e 28 qershorit janë vlerësuar nga të gjitha organizmat ndërkombëtare si zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, si zgjedhje të cilat përmbushën standardet kryesore të OSBE-ODIHR-it dhe për të cilat nuk ka pasur asnjë provë për manipulim rezultatesh apo numërim të parregullt”, theksoi Berisha. Kryeministri theksoi se ai e kishte njohur drejtuesin e lartë të NATO-s me reformat e ndërmarra në ushtri dhe për të rritur praninë në Afganistan me oficerë policie, të cilët do të trajnojnë oficerët e policisë afgane. Berisha e njohu Rasmussen me vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për të nderuar tetë shkolla të reja në Afganistan dhe për të ofruar 100 bursa për studentët e këtij vendi.
#