E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistri i parë i tokës, pas 20 vjetësh

Fier

Për herë të parë pas 20 vjetësh hartohet regjistri i ri zyrtar për regjistrimin e tokës bujqësore. Regjistri ka të bëjë me të dhënat e sipërfaqeve të tokës bujqësore, pyjeve dhe kullotave në Qarkun e Fierit. Në departamentin e menaxhimit dhe mbrojtjes së tokës në këshillin e qarkut, në kadastër, përgjegjësi Fatos Troka ka treguar se të dhënat në këtë regjistër, i cili do të përfundojë në muajin prill, në sajë edhe të bashkëpunimit me njësitë e qeverisjes vendore do të përcaktohet edhe nga fotografime dixhitale për rreth 122 mijë ha tokë bujqësore të Qarkut të Fierit. Pikërisht kaq është sipërfaqja e tokës që ka dalë deri më tani, ku shënohet edhe faza përfundimtare e regjistrit të tokës. Sipas përgjegjësit të menaxhimit dhe administrimit të tokës në kadastër, mësohet se regjistri mbyll në mënyrë përfundimtare edhe konfliktet për tokën bujqësore.

Ky regjistër, sipas Trokës, përcakton qartë rrugët e brendshme të tyre, evidenton saktë të gjitha sipërfaqet nën ujë, ku funksionon sistemi kullues, si dhe saktëson abuzimet me titujt e pronësisë. Për procesin e hartimit të regjistrit të ri të tokës në rang qarku janë përdorur dhe do të përdoren edhe në vazhdim dosjet dhe dokumentet e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Fier e Lushnjë. Po ashtu, ky proces do të ketë në dispozicion edhe fotot e zyrës së ALUIZNI-t.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›