Gati projekt-rregullorja e Kuvendit
Grupi parlamentar socialist do t’i paraqesë mazhorancës brenda kësaj jave një projekt-rregullore të re të Kuvendit të Shqipërisë. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, ka konfirmuar dje para grupit të tij parlamentar se draft-rregullorja e re e Kuvendit është gati dhe ajo do të depozitohet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve brenda kësaj jave. “Në mbledhjen e kësaj jave, të kryetarëve të grupeve parlamentare, grupi ynë në Kuvend do të depozitojë draftin e përgatitur të ndryshimeve që, sipas nesh, janë një kusht i patjetërsueshëm për ta futur Parlamentin në binarët e normalitetit europian të funksionimit të jetës parlamentare. Edhe për këtë draft të gjithë deputetët duhet të japin mendimet e tyre përpara publikimit të tij në ditët në vijim”, - tha Rama, duke evidentuar se kjo është një përpjekje për një reformë urgjente parlamentare që të rikthejë konsensusin për rregullat e funksionimit të jetës parlamentare dhe t’i japë opozitës në Parlament as më shumë e as më pak sesa liritë e të drejtat që sipas tij i janë mohuar njëanshmërisht nga shumica e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Rama ka sqaruar gjithashtu se s’është fjala thjesht për rregulloren e Kuvendit, po për atë që edhe baronesha Ashton dhe komisioneri Fule e kanë shtruar si domosdoshmëri për një reformë institucionale të jetës parlamentare dhe të rregullave të procedurës së punës së Kuvendit. Ndërkohë mësohet se për përgatitjen e këtij drafti kanë punuar deputetët Namik Dokle dhe Sajmir Tahiri, të cilët materialin e përgatitur para se ta dorëzojnë në Kuvend gjatë këtyre ditëve do ta konsultojnë edhe me pjesën tjetër të grupit parlamentar.