E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Të nisë puna për ndryshimet në Kodin Zgjedhor



Kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje dje për fillimin nga puna për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Këtë deklaratë Berisha e bëri gjatë mbledhjes së Komitetit ndërministror për Integrimin në NATO. Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se është e domosdoshme që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të fillojnë të diskutohen sa më parë dhe të mos lihen të çastin e fundit.
“Shpresoj të nisë puna për Kodin Zgjedhor sa më shpejt, në mënyrë që edhe Kodit Zgjedhor t’i japim përgjigjen më të shpejtë të duhur, por të mos e lënë për muaj e fundit, çka do të ishte jo e favorshme”, - është shprehur kreu i qeverisë, ndërsa vlerësoi se ndryshimet në Kushtetutë kanë bërë që reforma zgjedhore të vendoset mbi një bazë të re ligjore, e cili garanton më së miri zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Reforma kushtetuese dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor, çka vendosi procesin themelor të demokracisë, që është procesi i zgjedhjeve të lira, në një bazë ligjore të re, me të cilën ne ndahemi nga Dushku, fenomen damkosës për procesin zgjedhor në Shqipëri. Krahas kësaj, Kushtetuta pësoi një seri ndryshimesh të tjera pozitive, të cilat shmangin krizat e panevojshme në vend dhe thellojnë karakterin parlamentar të Republikës së Shqipërisë”, - është shprehur Berisha. Kryeministri u shpreh se për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, krahas reformave themelore, po ecet paralelisht me një grup tjetër reformash teknike, siç është regjistri digjital i gjendjes civile. “Pritet që këto ditë të nënshkruhet kontrata me kompaninë fituese të pasaportave dhe ID. Është shpallur fituese nga autoritetet kontraktues kompania që ofroi plotësimin e kushteve, por dhe çmimin më të leverdishëm, prej 9,5 eurosh, në një kohë kur e dyta, që plotësonte kushtin kohor të prodhimit brenda një viti, kishte një çmim prej 23 eurosh për letërnjoftim, i cili natyrisht përbënte një diferencë të ndjeshme”, - tha kreu i qeverisë. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit ndërministror për Integrimin në NATO Berisha bëri të ditur se do t’u nënshtrohen reformës të gjitha institucionet e fushës së sigurisë për një bashkërendim të punës së tyre dhe rritjes së eficencës.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›