E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Do ta çojmë deri në fund nismën tonë për votën e emigrantëve



Lëvizja Socialiste për Integrim insiston në nismën e saj për realizimin e të drejtës së votës së emigrantëve në votime. Edmond Haxhinasto, kryetari i KDK-së së LSI-së, tha se dy partitë e mëdha, PS-PD, duhet të mbështesin nismën për votën e emigrantëve. “Vëmë re me kënaqësi se kërkesa e hershme e LSI-së për realizimin e të drejtës së votës së emigrantëve shqiptarë në vendet ku jetojnë po bëhet një çështje për të cilën po flitet shumë. LSI-ja e ka bërë realizimin e të drejtës së votës në vendet ku jetojnë emigrantët si pjesë të rëndësishme të platformës për reformën zgjedhore që ka propozuar që më 2005-n, dhe me strukturat e saj në emigracion e ka rritur ndjeshmërinë për këtë çështje edhe pranë institucioneve ndërkombëtare, si Parlamenti Europian, Këshilli i Europës apo edhe pranë parlamenteve të vendeve ku ata jetojnë, reagimi i të cilëve ka qenë mjaft mbështetës. Fatkeqësisht, PD-ja e PS-ja, që realizuan ndryshimet kushtetuese për sistemin e ri zgjedhor, nuk e kanë marrë fare në konsideratë këtë çështje, kryesisht pasi ndiejnë se kanë shumë borxhe ndaj emigracionit dhe se vota e emigrantëve do të jetë ndëshkim elektoral për ta. Realizimi i të drejtës së votës për emigrantët është një çështje që duhet realizuar me domosdoshmëri, por jo më retorikë boshe”, - tha Haxhinasto.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›