Berisha: “Të parashikohen fonde në buxhet për strategjinë e riatdhesimit”
Kryeministri Berisha mblodhi dje Komitetin Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, i cili mori në shqyrtim masat e marra për plotësimin e kërkesave të bëra nga Komisioni Europian, pas vendimit të tij për të propozuar liberalizimin vizave me Shqipërinë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ngriti disa çështje kryesore. Kryeministri konsideroi themelor problemin e të rikthyerve, një çështje që i është dërguar Shqipërisë pas Udhërrëfyesit. “Kërkohet një strategji që të përcaktojë të gjithë qëndrimin e institucioneve shqiptare ndaj këtyre personave, qëndrim që bazohet gjithnjë në të drejtat dhe liritë e tyre, në trajtimin njerëzor, por natyrisht, rikthimi i tyre është i pashmangshëm dhe i detyrueshëm nga ana ligjore”, - është shprehur Berisha. Sipas kryeministrit, një çështje e rëndësishme në implementimin e kësaj strategjie është parashikimi i serioz dhe i saktë i buxhetit nga çdo institucion dhe agjenci e lidhur me të, për të përballuar këtë fenomen. “Të bëhet ç’të jetë e mundur për rialokime të brendshme dhe janë të mundshme, t’i parashikoni nëpërmjet rialokimit dhe në rast se rialokimi do të jetë i pamjaftueshëm, sigurisht qeveria do të ndërhyjë me fonde të tjera”, - tha Berisha.
Si problem të dytë kryeministri identifikoi lëvrimin nga Ministria e Financave e të gjithë fondit të parashikuar nga Këshilli i Ministrave për Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që sistemet MEMEX dhe FRONTEX të marrin të gjitha kapacitetet e nevojshme të funksionimit të tyre, duke kërkuar që kjo çështje të zgjidhje brenda ditës së nesërme.
Duke vlerësuar fillimin e fushatës sensibilizuese për qytetarët shqiptarë mbi domethënien e heqjes së vizave, kryeministri sugjeroi që të shihet mundësia që spoti publicitar për këtë qëllim të transmetohet edhe në media lokale. Po ashtu, kryeministri Berisha, pasi risolli në vëmendje faktin se në muajin korrik Shqipërinë do ta vizitojnë sërish inspektorët e Komisionit Europian për t’u njohur në vend me masat e marra nga qeveria në lidhje me kërkesat që ka paraqitur KE-ja për liberalizimin e vizave, kërkoi seriozitetin dhe angazhimin maksimal të ekspertëve shqiptarë, në bashkëpunimin me homologët e tyre të Komisionit Europian.
Mbledhja
Një javë para miratimit të dekreteve, PS-ja kundër votimit të hapur
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka zhvilluar dje një tjetër mbledhje për të shqyrtuar dhe miratuar ndryshimet e propozuara nga deputetët demokratë për të miratuar në Kuvend me votim të hapur dekretet e Presidentit të Republikës. Së fundi, kreu i shtetit ka dekretuar tre anëtarë të rinj për vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Të tre gjyqtarët do të jenë të pranishëm gjatë javës së ardhshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ku do të zhvillojnë seancë dëgjimore. Ndërkaq mësohet se dekretet e Presidentit do të futen për miratim në seancën e së enjtes së ardhshme. Por, Grupi Parlamentar të Partisë Socialiste vazhdon të kundërshtojë votimin e hapur për dekretet e Presidentit. Sipas tyre, sanksionimi i këtij vendimi në Rregulloren e Kuvendit cenon të drejtën e votës së fshehtë që gëzojnë deputetët, si dhe vendos kontrollin politik si presion për të rrëzuar propozimet e Presidentit. Edhe gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, përfaqësuesi i PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh kundër propozimit të PS-së. Ndërsa deputetët e maxhorancës thanë se këto ndryshime janë një instrument që i shërben transparencës dhe që i jep mundësi opozitës të mbikëqyrë e të kontestojë publikisht çdo kandidaturë që mund të zgjidhet për interesa të tjera të ndryshme nga interesat e drejtësisë. Ruçi tha se nuk ishte dakord me këtë propozim. Deputetët e maxhorancës thanë se këto ndryshime janë një instrument që i jep mundësi Kuvendit të shprehë përgjegjësinë përpara shqiptarëve. Është garancia e vetme që shqiptarët kanë për të siguruar që njerëzit më profesionistë dhe më me integritet të zgjidhen në organet e larta të drejtësisë. Është instrument që synon të garantojë një sistem drejtësie të pakurruptuar e që gëzon besimin e shqiptarëve. Ky propozim është në përputhje me vlerësimet që Komisioni i Venecias u ka bërë procedurave të votimit në të gjitha vendet europiane. Ky përmirësim i ligjit të Kuvendit forcon transparencën që i kërkon Kushtetuta për një procedurë të tillë. Në mbledhje u bë propozimi që votimi të bëhet nominal, gjë për të cilën i takon Kuvendit të vendosë.
16 Qershor 2010