E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama i bën apel Berishës: “Jep konsensus, mos pengo vizat për shqiptarët



Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërsa ka përshëndetur dje deklaratën e ministrave të Jashtëm të BE-së, i është drejtuar me një apel të drejtpërdrejtë kreut të qeverisë, të cilit i kërkon kompromis për zgjidhjen e krizës. Rama i bën thirrje Berishës që të mos e pengojë procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, të mos mbajë peng kutitë e korrupsionit dhe të mos ketë frikë nga transparenca. Ai u shpreh se duke mbajtur të mbyllura kutitë e zgjedhjeve mban të mbyllur të ardhmen e shqiptarëve. Kreu i PS-së deklaroi se zgjidhja e krizës vjen nëpërmjet një drafti të pranuar nga të dyja palët dhe që garanton transparencën e zgjedhjeve. “PS-ja, - tha Rama, -
është e gatshme për zgjidhjen e krizës politike përmes arritjes së një marrëveshjeje të negociuar dhe kompromisi që ngrihet mbi parimin më të rëndësishëm për çdo demokraci funksionale, të drejtën e një populli për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, e cila është e pandashme nga e drejta e zgjedhësve për transparencën e procesit zgjedhor”.
Apeli
“Unë dëshiroj të bëj një tjetër apel për Sali Berishën: Mos i mbaj vizat, daljen nga kriza ekonomike dhe vetë rrugën europiane të integrimit, peng të kutive të korrupsionit elektoral, që veç korrupsionit pjellë e gënjeshtrës së madhe të zgjedhjeve të shkuara që veç gënjeshtra prodhon me sasi përditë e më të mëdha, duke i lënë shqiptarët pa zgjidhje. Me lugë bosh e me fjalë më boshe se luga nuk mund t’u ushqesh shqiptarëve as ëndrrat e as familjen e rraskapitur nga papunësimi e varfërimi i përditshëm. Mjaft kohë kanë humbur Shqipëria e shqiptarët duke mbetur të fundit në rajon. Mos ji pengu i atyre kutive të së shkuarës që mban peng ngjarjet e zgjidhjet që presin qytetarët e këtij vendi për të ardhmen. Hap kutitë, liro vizat dhe çliro ekonominë! Mos ki frikë nga transparenca, se të vërtetën e kanë marrë vesh të gjithë. Mu ashtu siç e di edhe ti vetë. Duke e mbajtur atë mbyllur në kuti, mban mbyllur vetëm rrugën e së ardhmes, jo historinë e së shkuarës, e cila duhet hetuar vetëm që të mos përsëritet pasi përmbajtja e saj tanimë ka dalë nga kutia, ka marrë dhenë dhe është bërë shqetësim i mbarë botës demokratike”, - është shprehur kreu i PS-së, duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti kundërshtarit të tij politik.
Angazhimi
Gjatë fjalës së tij Rama vlerësoi nismën e BE-së, ndërsa shprehu gatishmërinë se PS-ja është e gatshme të pranojë çdo marrëveshje që garanton transparencën e zgjedhjeve. “Dëshiroj të shpreh një falënderim dhe mirënjohje të veçantë për apelin e fundit lëshuar dje gjatë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri. Falënderoj në emër të opozitës të gjitha shtetet anëtare, përfaqësuesit e të cilave në këtë moment vështirësie kolosale për ekonominë e Eurozonës gjetën kohën e mundësinë për të biseduar edhe mbi krizën shqiptare”, - është shprehur Rama. Sipas tij, Shqipëria po kalon një moment tejet delikat, e zhytur në krizë të shumanshme që po rrënohet institucionalisht dhe ekonomikisht dita-ditës, ndaj dhe lideri i opozitës mendon se vendit i duhet medoemos zgjidhja e kësaj krize për moszvarritjen e mëtejshme të liberalizimit të vizave dhe mosdështimin e aplikimit për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.
I pyetur për mundësinë e një tjetër takimi mes tij dhe Berishës, Rama tha se deri tani nuk ka asnjë konfirmim të kësaj natyre. Por, sipas tij, ka një përpjekje intensive për t’i dhënë fund krizës dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes. Zgjidhja e kompromisit, sipas Ramës, është hartimi i një drafti që garanton transparencën dhe që pranohet nga të dyja palët. “Bëhet fjalë për një zgjidhje kompromisi që garanton zgjidhjen me kompromisin e palëve; që do të thotë se kërkohet me këmbëngulje me durim e me pasion politik një draft i përbashkët”, - është shprehur Rama.

Bregu: “Zgjidhja e ngërçit politik në Shqipëri, në bazë të parimeve kushtetuese”

Edhe qeveria ka reaguar dje në lidhje me deklaratën e BE-së për Shqipërinë. Zëdhënësja për shtyp e qeverisë, Majlinda Bregu, theksoi se “zgjidhja e ngërçit politik në Shqipëri do të realizohet vetëm në bazë të parimeve kushtetuese, duke garantuar se kuadri ligjor dhe institucional i vendit mundëson transparencë të plotë të çdo dokumenti apo çështjeje në diskutim”. Më tej, në deklaratën për shtyp, Bregu përshëndeti vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Bregu deklaroi se qeveria shqiptare do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit për të finalizuar aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve për lëvizjen e lirë në Europë. “Qeveria shqiptare përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, marrë dje në Luksemburg, ku u rikonfirmua vullneti për mbështetjen e procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Qeveria shqiptare siguron forumet e larta vendimmarrëse në BE se do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit, për të finalizuar me sukses dhe sa më parë aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve: lëvizjen e lirë në Europë. Në deklaratën përfundimtare të miratuar dje në Luksemburg nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, vlerësohet dhe nxitet procesi i reformave në vendet e Ballkanit. Shprehet edhe njëherë vullneti i Unionit për integrimin e këtij rajoni në BE”, - është shprehur Bregu në emër të qeverisë.

16 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›