Presidenca spanjolle, të enjten deklaratë për krizën shqiptare
Eljona Ballhysa
Presidenca spanjolle e Bashkimit Europian do të dalë ditën e enjte, më datë 17 qershor, me një deklaratë të prerë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Spanjës në Tiranë. Sipas njoftimit pritet që të enjten, më 17 qershor, BE-ja të dalë me një deklaratë të formës së prerë lidhur me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Zgjedhja për ta pranuar ose refuzuar është, gjithsesi, në dorë të politikanëve drejtues të Tiranës. Gjatë ditës së djeshme ka bërë thirrje për zgjidhjen e krizës politike edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini. Ai është shprehur pro proceseve integruese të Shqipërisë, por duhet zgjidhur kriza.
Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm, Meta, Fratini pohoi se Shqipëria është gati të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ndërsa duke iu referuar situatës politike, ai apeloi për progres politik në respekt të Kushtetutës. Ministri Fratini nënvizoi se të gjithë duhet të punojnë për reformat. Ndërsa komisioneri Shtefan Fyle ka bërë të ditur se ekziston mundësia që Komisioni Europian të japë opinionin për statusin e Shqipërisë në muajin nëntor. “Është në fakt parashikimi i punës dhe qëllimi i Komisionit që t’u prezantojë vendeve anëtare, Këshillit, opinionet për të dyja vendet, për Shqipërinë dhe Malin e Zi, në të njëjtën kohë, si pjesë përbërëse të paketës mbi zgjerimin, që ju me të drejtë e përmendet nëntorin, siç parashikon kalendari”, - tha Fyle.
Konkluzionet
Takimi që zhvilluan një ditë më parë në Luksemburg 27 ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së u mbyll me disa konkluzione për situatën politike në Shqipëri. Në krye të tyre qëndron domosdoshmëria e zgjidhjes së krizës politike aktuale sa më shpejt dhe mbi një bazë që t’i qëndrojë provës së kohës. Në këtë kontekst, shefja e Diplomacisë së BE-së, Kathrin Eshton, vlerësoi nismën e Parlamentit Europian për arritjen e kompromisit qeveri- opozitë. “Lidhur me Shqipërinë, ne (BE), kemi qenë së pari shumë të interesuar për nismën e z. Doul dhe z. Shultz, e cila është mëse e mirëpritur dhe e konsideruar si një lëvizje shumë e rëndësishme. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të gjejmë zgjidhje të dobishme, që i nxitin palët drejt një marrëveshjeje me qëllim për ta vendosur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE”, - është shprehur Eshton. Bashkë me nxitjen për të gjetur sa më parë një zgjidhje të krizës, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së shprehu në Luksemburg edhe shqetësimin që nisma e dy europarlamentarëve, Joseph Doul, kryetar i Partive Popullore dhe Martin Shultz, kryetar i Partive Socialiste në Parlamentin Europian, nuk ka gjetur ende një mbështetje të mjaftueshme që “qeveria dhe opozita të tejkalojnë ndryshimet në qëndrimet e tyre lidhur me transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të kaluar”. Kompromisi që europarlamentarët Doul dhe Shultz u ofrojnë palëve është hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe hetimi i tyre nga një komision parlamentar me shumicë dhe të drejtuar nga opozita. Draft- marrëveshja e kompromisit Doul dhe Shultz ofron gjithashtu bllokimin e fletëve të votimit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që gëzon të drejtën që për fletët e votimit t'i drejtohet Komisionit të Venecias. Por, 27 ministrat e Jashtëm të BE-së, në konkluzionet e takimit në Luksemburg, qartësuan një perspektivë europiane të kushtëzuar. Sipas tyre, aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE do të vlerësohet sipas kritereve të Kopenhagës. Mes tyre stabiliteti politik është një ndër kryesorët. Situata aktuale në Shqipëri dhe mungesa e bashkëpunimit qeveri-opozitë vështirë se ndihmon në krijimin e imazhit të saj si një vend me stabilitet politik.
16 Qershor 2010