E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Te presim rezultatin me civilitet

Këto ishin fjalitë e para të kryeministrit Sali Berisha në daljën e tij publike pak pas momentit kur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve për njësinë 5 publikoi rezultatin që doli nga numërimi i votave të kutisë së fundit për kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës. Ndërsa fitorja festohej nga të dy kampet, ai ka bërë thirrje për kontroll të emocioneve jo vetëm nga militantët demokratë.

"Sikundër kam vendosur që të mos avancoj kurrë rezultat para KQZ-së në sytë e të gjithë shqiptarëve kjo garë numërimi e cila u ndoq me interesin më maksimal, ka përfunduar në një ngushticë të paimagjinueshme. Sipas database të kësaj selie, zoti Basha është fitimtar me pak vota.

Sipas database të selisë rozë, zoti Rama është fitimtar me pak vota. unë jam këtu si kryeministër i vendit dhe bëj një thirrje më vëllazërore të gjithë qytetarëve, anëtarëve, militantëve, mbështetësve të PD-së, por edhe të të të gjitha forcave të tjera, që të presim me civilitet, me interes sigurisht, por me qytetari të vërtetë, finalizimin e procesit, pasi duhet të theksoj këtu se, në çdo vend të botës një proces i ndarë me vota që shkojnë jo tamam gishtërinjtë e njërës dorë apo të dy duarve së bashku, ka një legjitimitet për t'u rishqyrtuar nga qeliza në qelizë.

Ky vend ka një sistem shqyrtimi ankesash, absolutisht ndër më seriozët dhe më të vlerësuarit,  mbi të cilin nuk mund të hedhim as hijen më të vogël të dyshimit. Nga ana tjetër, rikthehem te rezultati. Ai ëshë rezultati im, që unë lexoj dhe shpall. Në përputhje me ligjin e vendit, kodin zgjedhor, KQZ është i detyruar të përllogarisë dhe të shpallë vetëm atë rezultat që konfronton një për një të dhënat në proces verbalet e qendrave të votimit me të dhënat e tabelave të KZAZ-ve.

Në të gjitha rastet janë të dhënat e qendrave të votimit ato që prevalojnë në rast se ka diskordancë midis tabelave dhe qendrës së votimit. Ndaj dhe unë, duke përshëndetur të gjithë komisionerët për punën e bërë do të vlerësoja shumë një kontroll të emocioneve që janë emocione pozitive, këtu në selinë tonë, mbështetësit tanë, por do të dëshiroja kontroll të emocioneve në të gjithë krahët.

Le të presim ne. Siç e zhvilluam këtë garë të mrekullueshme le të presim shqyrtimin dhe fjalën finale të KQZ-së. Edhe njëherë duhet të përshëndes të gjithë numëruesit, komisionerët, vëzhguesit, të gjithë prezencën ndërkombëtare  në Tiranë që ndoqën këtë proces me aq vëmendje, me aq përkushtim. Unë për këtë deklaratë jam sot para jush. Ftoj edhe kandidatët që të pranojnë këtë qëndrim si qëndrimin më me interes të secilit prej tyre"- tha kryeministri Berisha.

Kryeministri kërkoi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë një verifikim të procesverbaleve për të gjitha tabelat e rezultateve të të gjithë njësive. Ndërkohë ai nuk përjashtoi që rezultati për kreun e bashkisë së Tiranës të ndjekë rrugën e ankimimit.

"Tani, ne jemi realisht para, por se sa, unë nuk kam shpallur asnjë të dhënë, zero, dhe s'kam për të shpallur ndonjëherë. Pres atë që do të shpallë në mënyrë përfundimtare KQZ-ja mbi procedurën e bazuar në konfrontimin e të dhënave të tabelave të KZAZ-ve me të dhënat e qendrave të votimit. Gabim njerëzor askush në botë, nuk del jashtë tij. Ndaj presim rezultatin dhe ne nuk do ta vëmë në diskutim. Ka disa ankesa për të cilat palët do u drejtohen sistemit të ankimimit"-u shpreh ai.

Numërimi i votave për zgjedhjen e kreut të bashkisë së kryeqytetit vazhdoi për 6 ditë. Numërimi mori fund të shtunën pas mesdite, me kutitë e fundit që kishin mbetur në njësinë 5.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›