Berisha: Të reduktohen në mënyrë drastike afatet për dhënien e liçencave për biznesin

Kryeministri Sali Berisha kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave përgjegjëse për reduktimin në maksimum të afateve për pajisjen e subjekteve me leje dhe licenca si dhe angazhimin e tyre në zbatimin e reformës në sistemin e inspektimit. Zyra e shtypit pranë Kryeministrit bëri të ditur se nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh sot Task Forca për Reformën Rregullatore. “Kjo Task Forcë ka një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm që konsiston në avancimin e të gjitha reformave që zgjerojnë më shumë standardet liberale të ekonomisë së tregut, krijojnë klimën më të favorshme për investime, lehtësojnë të gjitha burokracitë ndaj bizneseve. Nga kjo reformë varet i gjithë zhvillimi ekonomik, nxitja dhe inkurajimi i biznesit". Kryeministri vlerësoi veprimtarinë e deritanishme të bërë nga Qendra Kombëtare e Licencave, por theksoi se kjo qendër e ka të domosdoshme për t’u shkëputur edhe më shumë nga burokracia e miqësive dhe institucioneve të tjera. “Kjo nënkupton afate shumë më të shkurtra në shërbimet që i’u servirën qytetarëve. Shqipëria nuk mund të presë, biznesi nuk mund të presë”, u shpreh Berisha.
...