Sekretari i NATO-s, Rasmussen uron Berishën, vlerëson kontributin e qeverisë së tij si faktor stabilizues në Ballkan

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen ka uruar sot Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në detyrë, duke shpresuar për një bashkëpunim më të thellë në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, me anë të një mesazhi, uron Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në detyrë. Në mesazhin e tij, zoti Rasmussen shprehet: “I dashur Kryeministër Sali Berisha, Do të doja t’ju uroja për rizgjedhjen Tuaj si Kryeministër dhe formimin e qeverisë suaj të re. Gjatë mandatit tuaj të mëparshëm si Kryeministër, Shqipëria u antarësua në NATO, organizatën më të rëndësishme dhe të suksesshme të sigurisë që ka bashkuar Europën dhe Amerikën e Veriut. Suksesi i NATO-s qëndron në vlerat që ne të gjithë çmojmë shumë dhe në gatishmërinë tonë për t’i mbrojtur ato nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë. Unë besoj se përkushtimi i vendit tuaj ndaj Aleancës do të mbetet i palëkundur, i bazuar në përkushtimin e popullit shqiptar për të qënë pjesë e komunitetit të demokracive të zonës së Atlantikut të Veriut dhe të luajë një rol stabilizues në Ballkan dhe më gjerë. Në vazhdim të vendimeve të marra në samitin e fundit, Aleanca po pëson një transformim të rëndësishëm, si për shembull diskutimet mbi Konceptin e ri Strategjik, ndërkohë që mbetet e përkushtuar në stabilizimin e Afganistanit. Duke u mbështetur në suportin tuaj, unë pres me padurim të punojmë sëbashku, drejt përgatitjes së samitit të ardhshëm të rëndësishëm në Lisbonë. Do të doja edhe njëherë t’ju shprehja urimet e mia, sëbashku me urimet më të mira për një mandat të suksesshëm në detyrë.
I juaji sinqerisht, Anders Fogh Rasmussen”
...