“Pres me padurim bashkëpunimin e mëtejshëm me ju”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, dhe udhëheqës të tjerë botërorë, urojnë Kryeministrin Berisha
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, me anë të një mesazhi, uron kryeministrin Sali Berisha për rizgjedhjen në detyrë. Në urimin e tij, Rasmussen shprehet se përkushtimi i Shqipërisë në Aleancën veri-atlantike, do të mbetet i palëkundur, i bazuar në përkushtimin e popullit shqiptar për të qenë pjesë e komunitetit të demokracive.
“I dashur Kryeministër Sali Berisha. Do të doja t’ju uroja për rizgjedhjen Tuaj si Kryeministër dhe formimin e qeverisë suaj të re. Gjatë mandatit tuaj të mëparshëm si Kryeministër, Shqipëria u anëtarësua në NATO, organizatën më të rëndësishme dhe të suksesshme të sigurisë që ka bashkuar Evropën dhe Amerikën e Veriut. Suksesi i NATO-s qëndron në vlerat që ne të gjithë çmojmë shumë dhe në gatishmërinë tonë për t’i mbrojtur ato nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë. Unë besoj se përkushtimi i vendit tuaj ndaj Aleancës do të mbetet i palëkundur, i bazuar në përkushtimin e popullit shqiptar për të qenë pjesë e komunitetit të demokracive të zonës së Atlantikut të Veriut dhe të luajë një rol stabilizues në Ballkan dhe më gjerë”, deklaron në urimin e tij Rasmussen.
Shefi i aleancës, shprehet se pret me padurim të bashkëpunojë me kryeministrin Berisha, drejt përgatitjes së samitit të ardhshëm.
“Në vazhdim të vendimeve të marra në samitin e fundit, Aleanca po pëson një transformim të rëndësishëm, si për shembull diskutimet mbi Konceptin e ri Strategjik, ndërkohë që mbetet e përkushtuar në stabilizimin e Afganistanit. Duke u mbështetur në suportin tuaj, unë pres me padurim të punojmë së bashku, drejt përgatitjes së samitit të ardhshëm të rëndësishëm në Lisbonë. Do të doja edhe njëherë t’ju shprehja urimet e mia, së bashku me urimet më të mira për një mandat të suksesshëm në detyrë”, thuhet më tej në urimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen .
Në vijim të urimeve nga përfaqësues të lartë shtetërorë, nga vende të ndryshme të botës, kryeministri Sali Berisha ka marrë dje një mesazh urimi, me rastin e riemërimit të tij në krye të qeverisë shqiptare, nga homologu bullgar, kryeministri Boyko Borissov.
Borissov, shprehet nën drejtimin e kryeministrit Berisha, Shqipëria do të ngjisë shkallët e suksesit, duke u afruar më tepër me Bashkimin Evropian.
Kryeministri bullgar, Borissov garanton mbështetjen e vendit të tij, në drejtim të aspiratave integruese të Shqipërisë.
Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje mesazhe urimi të veçanta nga kryeministri i Indisë, Manmohan Singh dhe ai i Palestinës, Mahmoud Abbas, për rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë shqiptare. Të dy homologët, i shprehin Berishës, suksese në angazhimin, për mirëqenien dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe popullit të saj.
Singh dhe Abass, theksojnë se presin me padurim të punojnë me kryeministrin shqiptar dhe të forcojnë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore.