E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia U-17 e mbyll me goleade

Përfaqësuesja Under-17 e Shqipërisë i ka mbyllur me një fitore me goleadë fazën e parë kualifikuese të Europianit të kësaj grupmoshe. Skuadra e drejtuar nga Dzemal Mustedanagic fitoi me rezultatin e thellë 6-0 me Lihtenshtejnin.

Një fitore që më tepër se gjithçka tjetër, i ka shërbyer kuqezinjve të vegjël që të evitojnë pozicionimin në vendin e fundit. Megjithatë, paraqitja ka qenë mëse e pritshme, edhe sepse në Grupin 8, Shqipëria U-17 është përballur me dy skuadra disa herë më cilësore si Italia dhe Hungaria, që u kualifikuan në “Elite Round”.

Pas dy humbjeve me këto skuadra në ndeshjet e para, kuqezinjtë ia kanë nxjerrë të gjithë inatin kundërshtarëve modestë, duke i shndërruar ata në tabelë qitje. Rezultati 6-0 mund të kishte qenë edhe më i thellë.

Kjo për faktin se 17-vjeçarët shqiptarë kanë regjistruar plot 30 tentativa për gol, nga të cilat 17 goditje në kuadrat dhe 13 tentativa të pasakta, ndërsa spikat fakti që kuqezinjtë kanë ekzekutuar 12 goditje këndi.

Për skuadrën e Mustedanagic shifrat u zhbllokuan nga Xhemo në të 12-tën, ndërsa në pjesën e parë shënuan edhe Aliu, Lokaj e Tahiraj. Në Fraksionin e dytë të takimit, listës së golashënuesve iu shtua Rashica në të 62-ën, ndërsa Tshutsher realizoi një autogol në të 77-ën, që ishte rrjeta e gjashtë e Shqipërisë.

Kuqezinjtë kanë humbur gjithashtu edhe një 11-metërsh në të 75-ën me Aliun, ndërsa Lihtenshtejni e mbylli takimin me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Sele në të 79-ën, pra vetëm pak sekonda përpara fundit të sfidës 80-minutëshe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›