Nata kur Europa ndryshoi
Një hap i madh u ndërmor drejt një integrimi më të ngushtë. Nuk ishte rezultat i një kërkese nga njerëzit në Europë. Erdhi për shkak se liderët e Europës besonin se projekti i tyre kurrë nuk kishte qenë në një rrezik të tillë.
Natën e shkuar shumica e qeverive evropiane dorëzuan një copë nga sovraniteti i tyre. Në të ardhmen, planet për taksat e shpenzimet do të shfaqen përpara zyrtarëve europianë përpara qeverive vendase.
Do ketë sanksione automatike kundër atyre vendeve që tejkalojnë shpenzimet. Një bashkim monetar ka lëvizur drejt një bashkimi fiskal.
Si rezultat i negociatave të vonshme mbrëmë, kemi tani një Europë me dy shpejtësi. Presidenti francez, Nikola Sarkozi e pranoi këtë. Ai tha se ishte përgjegjësi e atyre që hoqën dorë nga opsioni i monedhës së përbashkët.
Disa vende jashtë eurozonës kanë debatuar me pasion kundër një Europe me brenda e jashtë, me dy kategori anëtarësimi. Por kjo ndodhi megjithatë.
Liderët e Europës dështuan për të arritur një marrëveshje për traktatet e BE. Në vend të kësaj, rregullat e reja do hyjnë në fuqi përmes traktateve ndër- qeveritare.
Do ketë një marrëveshje që përfshin 17 anëtarë të eurozonës dhe disa shtete të tjera që duan të përqafojnë rregullat e reja.
Izolimi britanik
Pengesa kryesore për ndryshimet ishte Britania. Kurrë më parë nuk ka qenë më e izoluar në Europë.
Dejvid Kameron ka kundërshtuar shumë liderë europianë. Në këndvështrimin e tyre, ai e përdori veton në një kohë kur Europa ishte në hall.
Nëse do ketë ndryshime në traktat, kryeministri britanik kërkonte përjashtime nga disa rregullime financiare, por Gjermania e Franca nuk lëshuan pe.
Në veçanti, presidenti Sarkozi ishte i vendosur se nuk do kishte lëshime për Britaninë. Sipas tij, kjo do minonte një punë shumë të madhe për të rregulluar sektorin financiar.
Francezët besojnë prej shumë kohësh se një nga arsyet se përse eurozona është në krizë është se sektori financiar nuk është i rregulluar siç duhet. Kishte shumë pak zëra të përgatitur për të mbrojtur City-n e Londrës.
Në fund, Dejvid Kameron konkludoi se ndryshimi i traktateve të BE do ishte në kundërshtim me interesat britanike.
Prioriteti i tij ishte që të mbronte sektorin financiar britanik dhe tregun e përbashkët, të cilin ai e sheh si një nga përfitimet kryesore të anëtarësisë në BE.
Më afër nga sa ishte planifikuar
Argumentet megjithatë nuk janë sosur. Një pyetje themelore është nëse institucionet evropiane mund të përdoren për të implementuar një traktat ndër- qeveritar.
Gjermanët e francezët duan që Komisioni Europian dhe Gjykata Europiane për Drejtësi të angazhohen për të kontrolluar zbatimin e rregullave të reja.
Ajo që shqetëson britanikët është se institucionet e BE nuk mund të kenë rol formal në marrëveshje jashtë traktateve të BE.
Një marrëveshje ndër- qeveritare mund të implementohet më shpejt se një traktat i plotë. Nuk do jetë nevoja për ratifikime intensive. Megjithatë ajo nuk mund të jetë shumë rigoroze.
Edhe kështu, impakti kryesor i këtyre ndryshimeve do jetë në terma afatgjatë.
Marrëveshja historike e mbrëmjes së shkuar ka pak për të thënë për borxhet, në lidhje me mungesën e rritjes ekonomike apo për ekonomitë evropiane që vijojnë të ecin të përçara.
Testi kryesor do të jetë nëse një angazhim për më shumë disiplinë financiare do të çlirojë Bankën Qendrore Europiane që të veprojë me më shumë agresivitet në tregje për të ulur kostot e marrjes borxh për vende të trazuara si Italia e Spanja.
Kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi ishte i matur mbrëmë, kur tha vetëm se marrëveshja do ishte një bazë e mirë për kompaktësi fiskale e më shumë disiplinë.
Për Britaninë, kjo shënon një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet e saj me Europën. Kurrë më parë nuk ka qenë kaq në kufi Britania.
Nëse eurozona bie, sigurisht Britania do gjejë të tjerë ku të mbështesë vizionin e saj. Në shtëpi do ketë debate nëse kjo Britani duhet të shkojë më tej dhe të vendosë nëse duhet të qëndrojë në BE.
Për europianët, ata janë tani një në Europë më të bashkuar nga ajo çfarë kanë votuar ndonjëherë. Por Zhan Mone, një nga themeluesit e BE, ka thënë se Europa do farkëtohet në kriza. Një gjë e tillë është provuar deri më tani.
