E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shefat e policisë, dhunë të burgosurve në Korçë"

 

TIRANE - Dhunë sistematike në dhomat e izolimit në paraburgimin e burgut të Korçës. Lajmi bëhet i ditur nga Avokati i Popullit, i cili rekomandon hallkave kompetente marrjen e masave urgjente për parandalimin e këtij fenomeni. Në një rekomandim të pak ditëve më parë, dërguar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, drejtorit të Burgut të Korçës, Petrit Bazeli dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, Dobjani bën të ditur faktet tronditëse me të cilat janë përballur inspektorët e AP-së në Korçë. Mësohet se dhuna është denoncuar te Dobjani nga një letër e disa të dënuarve në burgun e Korçës. Në letrën dërguar Dobjanit denoncohej dhuna e ushtruar nga eprorë të Policisë së Burgut, përkatësisht shefi i Policisë së Burgut, B.B. dhe shefi i Regjimit të brendshëm të Sigurisë së burgut, Sh.S. Gjatë inspektimit, përfaqësuesit e AP-së kanë konstatuar dy raste të dukshme dhune fizike të kryera njëra ndaj të dënuarit të mitur E.Z., 15 vjeç dhe tjetra ndaj të dënuarit L.Xh. Sipas Dobjanit, një tjetër rast ishte dhuna e ushtruar në 4 korrik ndaj të dënuarit A.M., nga shefi i regjimit të brendshëm. "Jemi në dijeni se për këtë ngjarje ka hetuar edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe kemi informacion se ka filluar edhe hetimi nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë", thuhej në rekomandim.                                                        ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›