Durrës, aksidentohen tre të rinj, njëri vdes
DURRES - Durrësi për të tretën ditë me radhë është zgjuar me mort në akset rrugore. Pas tragjedisë së dasmorëve, kësaj here të përfshirë në aksident kanë mbetur tre të rinj nga Shijaku. Sipas policisë, një 16- vjeçar vdiq dje për shkak të një aksidenti që ndodhi në zonën e Xhafzotajt, në aksin Shijak-Durrës. Pasagjeri Bruno Serjani ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa dy shokët e tij, Fitim Bare, i cili mendohet se ishte shoferi, dhe Aleks Sulejmani, kanë mbetur të plagosur. Të mbijetuarit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë. Si pasojë e shpejtësisë, makina me targë të huaj ka bërë disa salto. Ky është aksidenti i tretë që përgjak rrugët e Durrësit në një hark kohor prej 72 orësh. Në Maminas, Sukth dhe së fundi në Xhafzotaj të Shijakut janë shuar tetë jetë njerëzish, ndërsa 11 të tjerë kanë pësuar gjymtime të rënda. Policia ka marrë dje masa të rrepta me kontrolle dhe gjoba ndaj drejtuesve që shkelin rregullat. o.u