Studimi, të parët në rajon për aksidentet
ZIRINA LLAMBRO
Çdo ditë një të vdekur dhe dy të plagosur. Ky është bilanci i frikshëm i aksidenteve rrugore në vendin tonë. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik i rendisin në top-listën e tragjedive jetësore. Të dhënat alarmante nuk kanë të krahasuar me vendet e rajonit. Ndër të gjithë fqinjët renditemi të parët për numrin e vdekjeve, si pasojë e aksidenteve. Sipas studimit të fundit të ISHP, rreth 40% e tyre shkaktohen nga pakujdesia e kalimtarëve, pjesa tjetër nga neglizhencat apo konsumi i alkoolit tej mase i shoferëve të automjeteve. Një pjesë e mirë e tyre, bashkë me pasagjerët nuk denjojnë të vënë rripin e sigurimit, çka çon në pasoja fatale gjatë përplasjes. "Nëse do të kthehej në kulturë vendosja e rripit të sigurimit, brenda e jashtë qytetit, plagosjet do të ishin më të lehta, por edhe vdekjet më të ulëta në numër", sqarojnë specialistët. Sipas studimeve të kryera prej tyre, në momentin e përplasjes me shpejtësi të një automjeti në mungesë të rripit të sigurimit, trupi i njeriut përplaset përpara me peshën e një elefanti që bie në gjendje të lirë. "Çka do të thotë se si pasojë e shpejtësisë, forca me të cilën trupi përplaset para është tejet e madhe, rripi i sigurimit është frenuesi më i madh i saj, pasi trupin e mban të fiksuar. Madje është shumë më i efektshëm edhe se airbaget e makinës", nënvizojnë ekspertët e ISHP-së. Në studimin e fundit, i cili kishte të bënte me vlerësimin e njohurive, qëndrimeve dhe praktikave për sigurinë rrugore, u përfshinë rreth 300 studentë të Fakultetit të Mjekësisë. Nga të dhënat rezultoi një nivel i lartë të sjelljeve të rrezikshme të studentëve, lidhur me sigurinë rrugore, pavarësisht njohurive mbi to. Shifrat janë alarmante, sidomos për studentët meshkuj, të cilët me veprimet e tyre janë më të ekspozuar ndaj aksidenteve rrugore. Kështu, vetëm 19% e studentëve kanë pranuar se përdorin rripin e sigurimit. Rreth 67 % e tyre raportuan se ishin të mirinformuar për rregullat e qarkullimit rrugor, qoftë si këmbësorë, pasagjerë, apo drejtues automjetesh. Studimi dëshmon se meshkujt e përdorin rripin e sigurimit më pak në krahasim me femrat, por dhe e respektonin semaforin në udhë-kryqe më pak në raport me to. Ndërkohë, studimi tregoi se nuk ka ndonjë ndryshim statistikor në njohuritë, qëndrimet dhe praktikat e sigurisë rrugore, lidhur me prejardhjen (fshat-qytet). Në bazë të këtyre të dhënave, specialistët e Shëndetit Publik rekomandojnë që elementët e sigurisë rrugore duhet të integrohen në disiplina të ndryshme të shkollave të mesme, por dhe në ato të larta në vendin tonë. "Është shumë e rëndësishme që të fillohet që herët me ndërgjegjësimin e të rinjve mbi pasojat e pakujdesive të tyre kur qarkullojnë me makinë. Vetëm kështu do të mund të kemi një reduktim të aksidenteve", vërejnë ekspertët.