Berisha: Terry Davis nuk ka të drejtë, Kushtetuesja, konflikt interesi me ligjin
Kryeministri, Sali Berisha, kundërshtoi dje qëndrimin e Këshillit të Evropës për sa i përket ligjit të lustracionit, duke hedhur kështu dyshime se Davis, në mos e ka lexuar gabim atë, i është përkthyer keq.
Berisha tha se ligji përmban afate kohore, se lustracionin ka shumë vende që e kanë vazhduar dhe pas vitit 1999 dhe se gjithkush mund të ankohet në gjykatë për këtë ligj. Berisha tha se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese me konflikt interesi me këtë ligj nuk mund ta gjykojnë atë.
Më poshtë janë pyetjet e konferencës për shtyp për këtë çështje.
Duke qenë se flasim për familjen evropiane, zoti kryeministër, para se të hynte në fuqi ligji i dosjeve, ju, personalisht, deklaruat se ky ligj ishte detyrim i ardhur nga Këshilli i Evropës. Në atë kohë, por edhe sot paradite, Sekretari i Përgjithshëm, Terry Davis, shprehu hapur rezervat e tij. Kundërshti kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pyetja ime është direkte, a i druheni ju, kryeministri Berisha, faktit se për shkak të karrierës suaj personale, Shqipëria duhet të rrezikojë marrëdhëniet me aleatët evropianë, por edhe me aleatin më të madh, siç janë SHBA?
Pyetja juaj ka dy aspekte. E para, është deklarata e zotit Terry Davis, një personalitet i nderuar dhe respektuar në krye të një institucioni që unë e vlerësoj dhe e dua shumë. Siç kam theksuar dhe e theksoj, nuk ka ligj lustracioni pa kritika. Ky është rregulli i parë. Dhe kjo për faktin se të gjitha këto ligje kanë një aspekt të kritikueshëm dhe aspekti i kritikueshëm i këtyre ligjeve është kufizimi i të drejtave të njeriut. Por ky është një kufizim i përkohshëm, i sanksionuar si legjitim nga dokumentet e Këshillit të Evropës. Po, ç’të drejtë ka më shumë Rumania që në vitin 2007 i dha Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit atribute dhe të prokurorisë? ǒtë drejtë ka pasur parlamenti çek që në vitin 2002 zgjati efektin e këtij ligji? Apo ç’të drejtë kanë pasur parlamentet e vendeve baltike? Ky proces ka nisur para dokumenteve të Këshillit të Evropës, por ai është në përputhje të plotë me to.
Më duhet të theksoj se duhet të jeni të ndershëm, kur të citoni dokumentet. Nëse lexoni deklaratën e zotit Davis, në të thuhet se ligji nuk përcakton një afat, por ju si shqiptarë e dini se ky ligj ka një afat dhe ky afat është 5-vjeçar. Unë mund të pranoj se ka një kufizim të të drejtave, por nuk mund ta pranoj se nuk ka afat. Atëherë, po të jetë me afat, nëse e lexojmë deklaratën siç është, i bie që ligji të jetë në rregull. Por, në rast se ka pasur një pakujdesi nga nëpunësi që ia ka dhënë, nuk e kuptoj maninë tuaj për ta besuar verbërisht këtë, kur ju e dini që ligji ynë ka një afat.
Në deklaratë përmendet viti 1999, por ata që erdhën në pushtet me rebelimin komunist në Shqipëri e anuluan procesin. Kjo është e vërteta. Dhe tani nuk është asgjë tjetër, veçse vazhdim i procesit të anuluar.
Së dyti, ndershmëria dhe proporcionaliteti janë respektuar plotësisht. Çfarë kuptojmë me ndershmëri? Në rast se këta njerëz do të vlerësoheshin nga një komision i ngritur nga parlamenti, atëherë do të thosha se ligji nuk është i ndershëm. Shqipëria ka si shtyllën e ndershmërisë së një akti tri shkallët e gjykatës dhe ne u kemi dhënë atyre të drejtën t’i drejtohen tri shkallëve të gjykatës, ndërkohë që vende të tjera nuk e kanë bërë këtë.
Po ashtu, ligji nuk është disproporcional. Në të nuk është parashikuar asnjë rekursion social. Vende të tjera kanë përcaktuar edhe sanksione të qarta sociale. Ne i jemi përmbajtur parimit të Këshillit të Evropës se ndaj atyre që preken nga ligji nuk mund të përdoren ato parime që ata kanë përdorur, kur kanë kryer krime apo kanë shtypur të tjerët. Ka vende që i kanë përdorur edhe në vitin 2007, madje po e diskutojnë edhe tani për t’iu përgjysmuar pensionin etj., por ne nuk kemi hyrë deri këtu.
Sekretari i Përgjithshëm, Terry Davis, ka të drejtë, kur thotë se në ligj është vendosur edhe kandidati për në zgjedhje. Por në moralin e kombit tonë, a do të ishin më shumë se 3 për qind e shqiptarëve që do të pranonin se presidenti, kryeministri, ministri, deputeti të kishin qenë bashkëpunëtorë dhe vartësit e tyre jo? Unë nuk besoj se do ta pranonte kush këtë. Unë jam i detyruar të respektoj një standard moral të vendit tim. Ne nuk mund të themi se dikush nuk mund të punojë për mua, se ka qenë bashkëpunëtor, por unë mund të punoj, se më kanë votuar. Kush të dëshirojë, ta provojë me referendum, por do të merrte 99 për qind të votave kundër të shqiptarëve. Ky është ndryshimi në ligj dhe unë e pranoj. Ligji çek nuk e ka këtë, por e kanë ligje të tjera. Është e vërtetë se këtu kemi të bëjmë me diçka të diskutueshme, sikundër është e vërtetë që populli ynë ka një moral dhe unë nuk gjej dot moralitet që deputetët mund të kenë qenë bashkëpunëtorë, ndërsa vartësit e tyre jo.
Ju them edhe diçka, në fakt, ka pasur një djallëzi brenda. Ka dy variante. Nëse sheh ligjin tonë dhe atë të përgatitur nga socialistët, ky i fundit në pamje të parë duket i pafajshëm, paçka se u hap dosjet të gjithë shqiptarëve, një praktikë kjo terrori. Ne nuk i hapim, sepse t’i thuash një punonjësi të bashkisë se nuk mund të jetë këshilltar i kryetarit, sepse ka qenë bashkëpunëtor, ndërsa kryetari i bashkisë mund edhe të ketë qenë bashkëpunëtor, por kjo nuk prish punë, ky nuk është standard moral. Në rast se do të shkohej në referendum për këtë, jam i bindur se 98 për qind e shqiptarëve nuk do ta pranonin diçka të tillë. Më vonë, kur shqiptarët ta pranojnë, le ta gjykojnë si gabim, por tani për tani të jeni të bindur se nuk e pranojnë.
Së treti, cili ligj nuk përfshin ata që janë në detyrë? Të gjitha ligjet e lustracionit kanë të bëjnë me ata që janë në detyrë. Nuk di asnjë ligj - dhe në fakt di jo pak për to, pasi kam qenë i detyruar të merrem edhe në vitin ’95 dhe tani, ndonëse sot ka më shumë ligje të tillë se në atë kohë - që të mos ketë të bëjë me ata që janë në detyrë, por në mënyrë të kufizuar dhe në një periudhë kohe 5-vjeçare. Sigurisht ne, duke pranuar se është një kufizim i përkohshëm, ne u përmbahemi dhe do t’i përmbahemi të gjitha rregullave të shtetit ligjor. Dikush mund të thotë se e ka të përcaktuar detyrën me mandat, por themeli është integriteti. Në qoftë se ke kryer një krim, bie automatikisht. Është bërë maksimumi i kujdesit për të kufizuar kufizimin e të drejtave, por nuk mund të themi se për shqiptarët integriteti nuk ka rëndësi. Integriteti i zyrtarëve ka rëndësi, madje është kryesor, për të gjitha vendet e lira.
Në deklaratë përmendet viti 1999, por parlamenti çek, pas 10 vjetësh, në vitin 2002 ia ka zgjatur ligjit sërish afatin. Unë zotohem se afati nuk do të zgjatet, ne do t’i përmbahemi vitit 2014 dhe zoti Rama do të ketë të drejtë t’i bëjë të gjithë këta deputetë dhe të mos qahet më tutje.
Për sa i përket aspektit të dytë, ju gaboheni. Së pari, nëse shikon ligjin, kam shmangur çdo gjë personale. Kam pranuar kritikat tuaja, por nuk kam pranuar që gjërat të marrin nuancë personale. Në ligjin tonë janë bërë dhe amendime dhe modifikime nga ligji çek, vetëm e vetëm që të mund të mos ketë asnjë lloj konotacioni personal ndaj kundërshtarëve apo ish-kundërshtarëve të mi. Dhe unë jam i bindur se kështu duhej.
Së dyti, po në aspektin personal, në qoftë se në ligjin e parë, që është marrë tërësisht nga ligji çek, kryeministri ka pasur të drejtën me vendim të bëjë përjashtime, sërish këtë radhë unë nuk e pranova. Kjo mund të ishte objekt kritikash e dyshimesh të ligjshme dhe unë nuk do ta praktikoj një gjë të tillë. Kryeministri nuk do ta ketë të drejtë, por do të jetë komisioni dhe gjykata që do të vendosin.
Zoti kryeministër, opozita ka deklaruar se do ta çojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Çfarë ndodh, nëse kjo gjykatë nuk ka të drejtë ta shqyrtojë, për shkak të konfliktit të interesit? Dhe, çfarë ndodh, nëse ajo merr përsipër ta shqyrtojë?
Duhet të dini se konflikti i interesit nuk është invencion i kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance. Ai është i lashtë sa vetë drejtësia, vjen nga e drejta romake dhe është në detyrimin moral dhe ligjor të çdo njeriu, gjykatës apo çfarëdo pozicioni që të ketë, të mos marrë pjesë në vendimet ku është në konflikt interesi dhe nuk ka vendim në konflikti interesi të vlefshëm. Ne nuk kemi shtuar asgjë, por kemi vendosur një parim shtyllë kryesore të së drejtës në vendet e lira. Konflikti i interesit është një nga gjërat më sensitive sot. Mund t`u jap shembuj të javëve të fundit, kur për një problem të tillë u dhanë dorëheqje të tëra. Ne nuk mund të imagjinojmë të paimagjinueshmen në këtë rast. Je në konflikt interesi, nuk mund të marrësh pjesë në vendimmarrje. Ky vend nuk ka pranuar dhe as nuk mund të pranojë vendimmarrje në konflikt interesi. Kush thotë që dikush paska të drejtë të vendosë për veten e tij? Ky është parim universal, nuk është parim i yni. Kjo është praktikë e njohur.