Skela: “Jam njeriu i fazës së dytë”
Me përfundimin e sezonit aktual të Bundesligës skadon edhe kontrata e mesfushorit shqiptar Ervin Skela me Energi Kobtusi. Gazeta më e shitur në Gjermani, tablodi i famshëm “Bild”, shtron një pyetje ngacmuese. “A do të qëndrojë specialisti i gjuajtjeve të lira me lauzicerit (Kotbusin)?”. Fantazisti 32-vjeçar i Kombëtares shqiptare dhe regjisori i Kotbusit e ka përgjigjen për të ardhmen e tij. “Unë dëshiroj ta mbyll karrierën te Energi”.
Bild: “A ekziston ndonjë ofertë për një kontratë të re nga Energi?”
Skela: “Ne i kemi nisur bisedimet e para në tetorin e vitit të kaluar, por tashmë gjatë fazës përgatitore dëshirojmë të trajtojmë detajet e saj. Për momentin nuk kam dëgjuar më të flitet (nga drejtuesit e klubit), por për mua nuk përbën asnjë problem.
A dëshironi ju të qëndroni te Kotbusi?
Unë ndihem shumë mirë në rajon dhe në ekip. Dëshiroj të qëndroj akoma. Kjo do të jetë edhe kontrata ime e fundit, kështu që dua të jetë e plotë në të gjitha drejtimet. Veçanërisht në faktorin kohë. Do të dëshiroja një kontratë dyvjeçare me opsion shtyrje. Do të më pëlqente shumë ta përfundoja karrierën time te Energi.
Edhe në rastin nëse Kotbusi do të përfundonte në Bundesligën 2?
Në parim po. Për këtë unë nuk mendoj asnjë minutë. E di që në 17 ndeshjet e fundit (faza e dytë) luhen edhe shanset e mia të fundit për të qenë pjesë e Bundesligës. Për këtë, unë dua të jap gjithçka për të qëndruar. Liga 1 është diçka speciale për mua. Do të vendosja të gjitha fuqitë e mia si një 32-vjeçar që të shijoja të paktën edhe një vit tjetër.
Gjatë sezonit të fundit ju ishit golashënuesi më i mirë me shtatë gola. Deri tani (në përfundim të fazës së parë) keni shënuar vetëm një gol të vockël. Ndonjë pengesë?
Gjatë serisë së fundit shënova deri në pauzën dimërore edhe dy gola të tjerë. Më pas hapa rubinetin. Ndoshta unë jam një njeri i fazës së dytë...
A do të jenë të rëndësishëm golat e Skelës për të mbijetuar?
Skuadra po tregon sërish të njëjtën frymë grupi e bashkimi. Tani shanset e qëndrimit janë më të mëdha. Edhe të miat. Pastaj, besoj se do të vendosin ndeshje në shtëpi. Kemi dhuruar shumë. Me pikët që duam të marrim në shtëpi ne do të qëndrojmë. Jam plotësisht i sigurt...
Përgatiti: Dash Frashëri
Box
6 pikë
Ervin Skela beson se Kombëtarja shqiptare do të marrë 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme me Maltën (11 shkurt) dhe Hungarinë (28 mars). Fantazisti kuqezi (32 vjeç, 54 ndeshje me përfaqësuesen, 10 gola)”: “Kam besim se do të jetë një vit i mbarë për Kombëtaren”.
Goli
Goli i fundit i Skelës ishte ai në fitoren 10-1 të Kotbusit në ndeshjen miqësore të zhvilluar në turneun e Qipros kundër Omonia Nikosia. Fantazisti realizoi në mënyrën tradicionale të tij, nga një goditje e lirë nga 18 metra. Energi fitoi edhe kupën e këtij turneu.
“Shpiegel”: “Skela, truri i Kotbusit”
Ervin Skela dhuroi shou në “Alianz Arena”, me atë gol të kalibruar nga goditja e lirë kundër gjigantëve të Bundesligës gjermane, Bajernit të Munihut. Me 20 gola në Bundesligë, njëri më i bukur se tjetri dhe për më tepër lider i një skuadre nga ish-Gjermania Lindore, Skela ishte në fokusin e revistës prestigjioze “Spiegel”, në versionin online të saj. “Ervin Skela është koka e Energi Kotbusit”, - shkruan “Spiegel”.
Rekordmeni i golave shqiptarë në Gjermani
Ervin Skela lindi më 17 nëntor 1976 në qytetin e Vlorës. Nga viti 1995 është lojtar i Kombëtares shqiptare, ndërsa në Gjermani ka luajtur për Frankfurtin, Bielfeldin, Kaisersaluternin. Në vitin 2006, ai luajti për pak kohë në Itali me Askolin. Për Energi Kotbusin, Skela luan që nga janari i vitit 2007. Kontrata e tij përfundon në fund të këtij sezoni. Në Bundesligën 1 ka shënuar 20 gola, ndërsa në Bundesligën 2, 32 gola. Skela është rekordmeni shqiptar përsa u përket golave të lojtarëve shqiptarë që kanë luajtur në Gjermani.
Heroi vlonjat, i përkëdheluri i presidentit
Presidenti i skuadrës së Energi Kotbusin, Ulrih Lepsh, e vlerëson Skelën si një lojtar të talentuar. Bosi i ekipit nga ish-Gjermania Lindore: “Skela jep asiste, di të gjuajë goditjet e dënimit dhe gjithashtu di të mbrojë mirë. Ai është mushkëria e skuadrës, pasi një lojtar me eksperiencë të madhe si ai i jep frymëmarrje ekipit”. Skela, heroi i Kotbusit sezonin e kaluar (shtatë gola e gjashtë asistë) ka shënuar gjatë këtij sezoni një gol spektakolar kundër Bajernit të Munihut. Kotbusi renditet në vendin e 16-të (nga 18 ekipe që ka Bundesliga) me 13 pikë.
Cana qetëson Hanin, gati javën e ardhshme
Lorik Cana ende pa ndeshje në vitin 2009. Kapiteni i Marsejës i dëmtuar në gju mungoi në ndeshjet kundër Besançon dhe Auxerre, por mesfushori shkatërrues pritet të mungojë edhe në ndeshjen kundër Havre, të programuar për ditën e shtunë. “Ai do të jetë sërish gati javën e ardhshme. Rikuperimi i tij po shkon shumë mirë, por ai nuk është ende gati në 100 për qind dhe ne nuk dëshirojmë të rrezikojmë”, - saktësoi trajneri Erik Gerets në faqen zyrtare të klubit të Marsejës. Me rikthimin në fushën e lojës, Lorik Cana ka qetësuar njëkohësisht edhe trajnerin e Kombëtares shqiptare, holandezin Ari Han, përpara sfidës së rëndësishme në vlerën e pikëve me Maltën, më 11 shkurt në “Ta’ Qali”.
17 Janar 2009