PS: Nuk marrim pjesë në Komisionin e Verifikimit të Figurave
Socialistët deklarojnë se nuk do marrin pjesë në Komisionin e Verifikimit të Figurave që do të ngrihet pas miratimit të ligjit për lustracionin. Një gjë e tillë u bë e ditur dje nga deputeti i PS, Marko Bello, gjatë një konference për shtyp.
Bello tha sërish se ligji për lustracionin do të shkojë në Kushtetuese. “Partia Socialiste e quan antikushtetues këtë ligj dhe ne nuk bëhemi palë me një ligj që shkel hapur Kushtetutën e vendit. Ne këtë ligj do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të presimin vendimin e kësaj gjykate. Madje, s'do marrim pjesë në Komisionin e Verifikimit”, - tha Bello.
Pak më parë, një tjetër zyrtar i PS, kryetari i kësaj partie për kryeqytetin, Besnik Bare, tha se Berisha mashtroi për ligjin e dosjeve. “E para, gënjeu, kur tha se ligji i dosjeve është me standarde evropiane, sepse sot, Sekretari i Përgjithshëm i KE tha të kundërtën. E dyta, gënjeu, kur tha se prioriteti i tij është pajisja me karta, sepse ditë për ditë po vërtetohet, që qeveria s'ka as plan, as kalendar, as shqetësim maksimal për këtë çështje jetike për Shqipërinë e vitit 2009. Dhe e treta, gënjeu, kur tha se ratifikimi i MSA është meritë e qeverisë, sepse MSA u ratifikua falë të gjitha kontributeve në vite të të gjitha palëve dhe nëse u vonua kaq shumë një ndër shkaktarët kryesorë është vetë Sali Berisha, simboli i një politike të vjetër, që prej 18 vjetësh i ka lënë shqiptarët, jo vetëm pa drita, pa ujë, pa punë, por së fundi ua merr taksat për të reklamuar gënjeshtrat e qeverisë së tij”, - tha Bare.
Socialistët e kanë kundërshtuar ligjin për lustracionin që në fillimet e tij, duke e quajtur atë antikushtetues. Sipas tyre, ligji do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, por dhe kjo gjykatë duket se preket nga ligji dhe nuk dihet si do veprohet në këtë rast.
Por dhe mospjesëmarrja e PS në Komisionin e Verifikimit ngre shumë pikëpyetje se si do procedohet më zëvendësimin e anëtarëve që i takojnë të majtës në këtë komision. Duket se asnjë nga të majtët nuk do marrë pjesë, e kështu mazhoranca do zgjedhë anëtarë nga shoqëria civile për këtë komision. Se kush do i përcaktojë se nga cilat organizata do merren këto anëtarë, nuk dihet. “Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon: dy përfaqësues të shumicës parlamentare; dy përfaqësues të pakicës parlamentare; kryetari me konsensus.
Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rast se vendi i një a më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, sipas pikës 4 të këtij neni, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile”, - thuhet në ligj.
LSI: Nuk marrim pjesë në menaxhimin e këtij ligji
Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se nuk do të marrë pjesë në Komisionin e Verifikimit të Figurave. Një gjë e tillë u bë e ditur nga nënkryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi. Më poshtë vijon prononcimi i tij për këtë çështje.
Zoti Xhufi, pavarësisht se ju keni kundërshtuar ligjin e dosjeve, ka një ofertë nga kryeministri Berisha për të pasur një anëtar në komisionin që do të ngrihet për të zbatuar këtë ligj. Do të merrni pjesë për të qenë mbikëqyrës i zbatimit të ligjit?
Ne jemi ndër ata që shpresojmë dhe do të luftojmë që ky ligj të mund të kthehet, duke ndjekur rrugët ligjore të mëtejshme. Jemi nga ata që kemi votuar me forcë kundër këtij ligji, ashtu siç kemi votuar edhe disa nga ligjet e tjera që kanë kaluar dhe që ne mendojmë që kanë qenë në përplasje të drejtpërdrejtë me demokracinë dhe me parimin e ndërtimit të institucioneve të shëndosha.
Megjithatë, do të merrni pjesë në këtë komision?
Është një problem, të cilin ne e shohim në një këndvështrim tjetër, në një krah tjetër. Ky është një krah, për të cilin nuk mendojmë që të përgjigjemi, pikërisht sepse e konsiderojmë që është një ligj, i cili nuk është në interes të vendit. Si i tillë, nuk mund të marrim pjesë në menaxhimin e këtij ligji.