E Shtunë, 31 Tetor 2026

Automjetet më të lira dhe ekonomike



Kriza ekonomike botërore ka sjellë interesin për blerje të lira, sidomos kur bëhet fjalë për automjete. Pa dyshim, edhe në këtë rast duhet të kemi parasysh një automjet, i cili, përveçse nuk do të kushtonte shumë, do të harxhonte pak karburant. Në të njëjtën kohë ai duhet të jetë i rehatshëm dhe i pranueshëm për syrin. Për t’ju ardhur në ndihmë, në këtë material do të keni mundësi të bëni zgjedhjen tuaj për një blerje sa më të përshtatshme.

“Chevrolet Aveo”
Një automjet i vogël për standardet amerikane, “Aveo” është konsideruar si automjeti më i shitur në tregun europian, pasi në të ndërthuren në mënyrë perfekte kursimi i karburantit me përmasat. “Aveo” i vitit 2009 është i përbërë nga marshet manuale, fuqia motorike 1.6 dhe teknologji ekologjike që mban ambientin të pastër. Ky automjet është i bollshëm përsa i përket hapësirës dhe ofrohet me 5 dyer, i njohur gjithashtu si “Aveo 5”. Ai u ridizenjua për vitin 2007, vetëm 2 vjet e gjysmë pas prezantimit të parë me përparësi të dallueshme në hapësirën e brendshme dhe madhësinë e jashtme. Ai u dizenjua nga Xhorxheto Xhiuxhiano në Turin të Italisë.

“Honda Fit”
Energjia e “Honda Fit” ka qenë për shumë kohë në qendër të vëmendjes së adhuruesve të automjeteve. Automjeti në fjalë është mjaft ekonomik dhe kompakt, sjell stilin më të fundit dhe të performancës, por edhe vlerat e kompanisë “Honda” në përgjithësi.
Ajo që e dallon nga të tjerat është edhe çmimi i ulët i pjesëve të këmbimit, duke fituar për këtë arsye çmimin për vlerat për rishitje të vitit 2009. “Honda” me 5 dyer u ridizenjua për vitin 2009 duke bërë që shitjet dhe interesi për të të shtohen ndjeshëm. Hapësira e brendshme jep mundësinë e rehatisë për pasagjerët, por dhe mundësi për bagazhe.

“Hyundai Accent”
Është prezantuar për herë të parë në vitin 1995, me një çmim fillestar prej 10 000 dollarësh, është pa dyshim një nga automjetet më të lira në tregun botëror. Përdoruesit e këtij automjeti kanë arritur numrin 52 000 vetëm për vitin 2005. “Hyundai Accent”
ka fuqi motorike 1.6, me 110 kuaj fuqi. Duke u nisur nga të dhënat paraprake shpejtësia që arrihet me të nuk është e madhe, megjithatë, kur të arrini në destinacion, do të keni më tepër para për të shpenzuar. “Accent” zëvendësoi modelin paraardhës të quajtur “Excel”, që ishte automjeti i parë “Hyundai” që u importua në Amerikë në vitin 1996. Gjenerata e dytë e “Accent” u prezantua në vitin 2000 dhe ndryshimet thelbësore të saj arritën kulmin në vitin 2003. Gjenerata e tretë e automjetit u prezantua në vitin 2006, si automjeti tipik me 4 dyer.

“Kia Rio”
Modeli më i ri “Rio” nga prodhuesi korean i automjeteve “Kia” ka 110 kuaj fuqi dhe fuqi motorike 1.6. I disponueshëm me 4 dyer ai përkthehet si një nga automjetet më të përshtatshme të gjeneratës së re. “Rio Kia” u ridizenjua në vitin 2006 dhe u konsiderua automjeti i vitit. Për vitin 2007 “Rio”-s iu shtua modeli me katër dyer “SX”. “Kia Rio” është konsideruar si një nga automjetet më të lira të shitura në Amerikë, megjithatë kjo nuk ia ul aspak vlerat dhe elegancën. “Kia” e parë u prezantua në Amerikë në vitin 1994 me modelin “Sephia”, megjithatë “Kia” e parë e shitur në këtë vend ka qenë “Ford Festiva”, të cilën “Kia” e prodhoi për “Fordin” nga viti 1987 në vitin 1992.

“Nissan Versa”
U prezantua fillimisht në vitin 2007 dhe është i përbërë nga fuqia motorike 1.8 litër dhe 122 kuaj fuqi. Çmimi fillestar i automjetit është më pak se 10 000 dollarë amerikanë, duke u vlerësuar si një nga 10 automjetet më të lira në botë. Në të gjendet një hapësirë e mjaftueshme për të siguruar komfort dhe siguri. Ky model është pasardhës i modelit “Sentra”, i cili ka qenë një nga modelet më të preferuara të kësaj kompanie. E prodhuar në platformën “B” të Nisanit, emri Versa reflekton hapësirën e gjithanshme. I prezantuar si modeli i vitit 2007 që në vitin 2006, është automjet me 5 dyer dhe i preferuar nga të pasionuarit pas shpejtësisë.

“Pontiac Vibe”
I ridizenjuar në vitin 2009, “Pontiac Vibe” të bën përshtypje me efektshmërinë, koston dhe stilin. Me fuqi motorike 1.8 dhe e pajisur me 5 transmisionë shpejtësie, ai krahasohet me modelet më të mira të Toyota-s, të cilat dallohen për vlerat dhe sigurinë. “Vibe” është automjet i shpejtë me 5 ulëse dhe pa frikë mund të quhet automjet sportiv. Ky model është zhvilluar nga GM në bashkëpunim me kompaninë “Toyota” duke ndarë me të komponentët dhe platformën më moderne. Ky model ngjason tepër me modelin “Toyota Matrix”. “Pontiac Vibe” është ridizenjuar për herë të parë në vitin 2009, ndërsa për herë të parë është prezantuar në vitin 2003.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›