E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikollaq Muço, “Shvarcenegeri” shqiptar



Sokrat PAPADHOPULLI

Po të themi se Nikollaq Muço është sportisti më i madh i Gjirokastrës në sportet individuale, kemi thënë pak. Ai është ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë dhe i madh në Ballkan dhe Europë. Pa frikë mund të themi se ai është me përmasa botërore. Ai është i krahasueshëm me ata notarë ose atletë që “përlajnë” mbi pesë medalje në lojërat olimpike. Ajo që e lartëson edhe më shumë, për të mos thënë se e mitimizon figurën e tij, është fakti se ai jo vetëm që garon si sportist i mirëfilltë dhe arrin suksese ndër më të lartat, por njëkohësisht është dhe trajner, mjek, dietolog, menaxher, financier, sponsorizues, shoqërues i vetvetes duke “vërtetuar” njëkohësisht edhe postulatin se, “mendja e shëndoshë është në trup të shëndoshë”, ndërsa trupi i tij aq i fortë dhe i bukur tregon ndërkohë që mendja është ajo që e bëri të tillë. Ai kudo që ka shkuar, fjala është kryesisht për jashtë shtetit, ka pasur me vete flamurin kombëtar që jo rrallë e ka valëvitur triumfalisht. Veçanërisht kohët e fundit atje larg, në hemisferën tjetër, në Kaliforni, “çmendi” plethorë amerikanësh me hijeshinë e tij trupore, me muskujt herkulianë, që mund të frymëzojnë piktorë e skulptorë, se Nikollaq Muço është “aktor” hollivudian. Kur ishte në moshë të vogël, bashkëmoshatarët e tij e thërrisnin “buçko” dhe ai, i prekur në sedër, vendosi që tulet t’i kthejë në … muskuj dhe u bë kësisoj një fenomen sportiv, një “ikonoklast” mendësish.

Kush është Nikollaq Muço? Frymëzimi

Nikollaq Muço, me origjinë nga Labova e kryqit, ka lindur në Kuçovë më 15.07.1961, por jetën e tij e ka të lidhur me Gjirokastrën ku ka kryer shkollën industriale, ku ka jetuar qysh herët dhe vazhdon edhe sot. Që i vogël ishte inkuadruar në botën e sporteve. Në moshën 10-vjeçare është aktivizuar në qitje ku ka marrë mësime nga Sadik Lengo, trajner i njohur i qitjes në Gjirokastër dhe më tej, si dhe në mundje e peshëngritje me trajner Sotiraq Paskalin, alias i amerikanizuar, Raq Paskal, njeriu më poliedrik i Gjirokastrës me kryeveprën e tij si themelues i cirkut të këtij qyteti. Por ai që Nikollaqin e futi në historinë e sportit shqiptar është një sport ende jo shumë i njohur dhe i aplikuar në vendin tonë që anglisht emërohet body building, që në gjuhën tonë do të thotë zhvillim muskujsh. Para vitit 1990, në periudhën e diktaturës proletare ky sport ishte i ndaluar në vendin tonë ose i paaplikueshëm sepse konsiderohej shfaqje e huaj ose sport borgjez etj. Nikollaq Muço, sikundër kujton, nisi ta ushtrojë këtë sport që në moshën 16-vjeçare duke u frymëzuar nga aktori i famshëm i Hollivudit, Stiv Rivers, që interpretonte rolin e Herkulit dhe të figurave të tjera mitologjike, me forca mbinjerëzore e trupa të skalitur në muskuj. Nikollaqi shprehet: “Edhe pse familja ime ishte e varfër, unë me bukë të thatë e ujë shëndoshesha. Ndaj më hipi dëshira që tulet t’i ktheja në muskuj duke u frymëzuar kryesisht nga Stiv Rivers, që shikoja në kinemanë e qytetit ku shfaqeshin filma në qytetin tonë me protagonist atë, por edhe nga Shvarceneger, Stalone etj. Ushtrohesha për vite me radhë. Në vitin 1993, në Tiranë u bë takimi i parë në body building dhe meritova vendin e parë në Shqipëri. Natyrisht ishte një takim atëherë pa ndonjë bujë të madhe”.
Më vonë, Nikollaqi emigroi në Greqi ku punoi në punë të rënda në anije e gjetkë. Në Athinë vazhdoi të stërvitej në palestër dhe i lindi ideja të ndërtonte edhe ai një të tillë në Gjirokastër, gjë që e bëri. Kështu, në mars të vitit 2003, në një godinë afër Pallatit të Sportit Gjirokastër, hapi palestrën “Zhvillim muskujsh”, të cilën filluan ta frekuentojnë meshkuj dhe femra për t’u bërë elegantë dhe të fortë, të bukur dhe estetikë, se ky sport ndikon te përmirësimi i punës së organeve të brendshme dhe të qarkullimit të gjakut, trupi bëhet më i qëndrueshëm për shkak të sistemit imunologjik, lëkura bëhet më elastike, zvogëlohen shtresat e dhjamit si dhe substancat helmuese, rritet qëndrueshmëria ndaj sëmundjeve dhe ka ndikim te efekti psikologjik në jetën e përditshme. Duke filluar nga data 22 dhjetor 2003, palestra mori emrin “Maçisti”(sportist italian, një ndër idhujt e Muços) dhe u vendos në një ambient tjetër, në perëndim të stadiumit “Gjirokastra”.
Më 9 dhjetor 2003, në Tiranë, pas një ndërprerjeje disavjeçare u bë gara në Body Building, ku Nikollaq Muço u shpall Kampion Kombëtar për moshat mbi 40 vjeç dhe nënkampion për të gjitha moshat, ku konkurronin dhe të rinj ambiciozë. Kështu, Muço u bë një shembull i shkëlqyer që tregon se ku arrin njeriu i apasionuar dhe me vullnet, që ka guxim dhe nerv, që punon, trajnon, fiton, por edhe sponsorizon…

ǒdo të thotë të zhvillosh muskujt?

E pra, të zhvillosh muskujt do të thotë në një farë mënyre të zhvillosh qytetërimin, virtytet e njeriut, bukurinë e tij trupore dhe shpirtërore, të zhvillosh forcën e karakterit, të burrërohesh, të kalitësh vullnetin, të besosh në fitore. Nikollaq Muço me veprën dhe veprimtarinë e tij hapi një kapitull të ri në botën e sportit të Gjirokastrës dhe vetëm me nismën, dëshirën dhe investimet e veta në të gjitha drejtimet, pse jo dhe të artit gjirokastrit që tani prej disa kohësh është rrudhur në veprimtari të pakta të natyrës sportive që është reduktuar vetëm tek futbolli, aktualisht tepër të traumatizuar. Muço ka treguar dhe po tregon se edhe një individ mund të bëjë shumë, veçanërisht kur ai është “Herkul”. Ai tregoi dhe vërtetoi katërçipërisht se gjer ku mund të arrijë forca dhe mendimi i një sportisti të mirëfilltë që stërvitet shkencërisht me pasion, vetëmohim, disiplinë dhe regjim duke sfiduar kundërshtarë të natyrave të ndryshme. Gjatë jetës së tij dhe aq më tepër pa ndonjë ndihmë faktorësh të jashtëm, por më tepër si autodidakt, falë dashurisë së pakufishme që ka për sportin, ushtrohet sistematikisht, si në planin fizik, tekniko–taktik dhe atë shpirtëror, duke kapërcyer si rezultat kufijtë kombëtarë.

Sukseset e tjera

Kështu, në Kampionatin XIV Ballkanik të Body Buildingut, të zhvilluar në Athinë, më 24 prill 2005, ai fitoi medaljen e argjendit duke u shpallur nënkampion ballkanik në kategorinë mbi 40-vjeçarët dhe peshë nën 80 kg. Më parë, më 19.11.2004, në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, gjirokastriti Nikollaq Muço është shpallur përsëri Kampion Kombëtar për kategorinë e tij. Më 5 nëntor të vitit 2005, në Kampionatin Kombëtar të zhvilluar në Tiranë ku kishte dhe konkurrues nga Kosova, Nikollaqi fitoi medaljen e artë për kategorinë e tij dhe vendin e tretë për të gjitha moshat. Duhet thënë se, sikundër shprehet vetë Muço, i janë bërë shpesh padrejtësi nga juria për arsye të disa konflikteve me Federatën Shqiptare të Body Building që kanë ardhur si rezultat i moslikuidimit të shpenzimeve të tij në veprimtaritë e ndryshme ku dhe për hakmarrje nuk u dërgua as në Itali në periudhën 21-23 tetor 2005 në Kampionatin e Vendeve Mesdhetare në një kohë që ai si nënkampion ballkanik duhej të ishte aty, ndërsa ata që shkuan nuk morën asnjë medalje.

Ti Nikollaq je si vera…

“Juria”, - vazhdon ai, – “u tregua e ashpër dhe vlen të përmendet se z. Bedri Cahani, drejtor i Kulturës dhe i Sporteve të Gjakovës, si dhe presidenti i Federatës së Body Building që përhapi sportin e Body Building në Shqipëri qysh nga viti 1993 dhe që në atë garim të 2005-s ishte anëtar i jurisë, pas aktivitetit, duke ndier që Muço mund të shpallej dhe kampion, me një gjykim jotendencioz më tha: “Nikollaq, mos u mërzit se ti je si vera. Sa më shumë vjetërohet, aq më e mirë bëhet””. Si për të vërtetuar thënien e Honore De Balzakut që thoshte: “Kush nuk ka armiq, nuk ka lavdi”. Kështu pra, Nikollaq Muço “edhe i vetëm, trim në luftë”, vazhdoi serinë e sukseseve duke u shpallur Kampion Kombëtar në vitin 2006. Po këtë vit, më 28-30 prill, në Çaçakë të Serbisë, fitoi medaljen e bronzit në Ballkan, kurse në Selanik më 25 nëntor 2007 në “Natural Olympia” meritoi vendin e katërt në botë në kategorinë e moshës 40-49 vjeç, kurse në Shkup në datat 27-29 prill meritoi vendin e katërt në Ballkan.

Themelimi i Shoqatës

Sportisti i shquar gjirokastrit dhe më gjerë, në shkurt të vitit 2008 themeloi shoqatën “Natural Body Building Fitness”, që mund të përshtatet me “Zhvillim i natyrshëm i formës së muskujve”, me 26 anëtarë pasi kjo shoqatë u njoh nga Gjykata e Tiranës. Sipas statusit, kjo shoqatë ka për qëllim organizimin dhe lëvrimin e Body Building, propagandimin e të gjitha idealeve të tij, kryerjen e aktiviteteve për konkurrimin brenda dhe jashtë vendit, forcimin trupor dhe fizik të të rinjve kryesisht si dhe dhënien e ndihmesës për ushtrimin dhe përhapjen e këtij sporti.

Fiton 5 medalje në Kaliforni

Nikolaq Muço shkëlqeu edhe një herë në Body Building në dy veprimtari të rangut botëror, të zhvilluara në Kaliforni të SHBA-ve, duke pasqyruar karakter të fortë sportiv dhe njerëzor, duke qenë dhe i vetmi trim në beteja, i vetmi shqiptar atje larg, madje pa trajner, pa shoqërues, por vetëm me flamurin kombëtar, që e valëviti triumfalisht. Kështu, më 8 nëntor, në San Francisko, konkurroi në “Natural Olympia” dhe për kategorinë e moshës 40-49 vjeç dhe gjatësinë e parë, të shkurtrit, fitoi vendin e 4-t midis 12 pjesëmarrësve, kurse në garën e hapur për të gjitha moshat dhe të shkurtrit meritoi vendin e pestë midis 15 pjesëmarrësve. Theksojmë se në Body building shpërndahen medalje për pesë të parët. Në Korona të Los Anxhelosit u zhvilluan më 15 nëntor garat për “Universe Natural”, ku meritoi vendin e dytë për meshkujt e moshës 40-49 vjeç të gjatësisë së shkurtër midis 9 pjesëmarrësve dhe fitoi vendin e dytë në garën e hapur “Gjithmonë natyral” midis 7 pjesëmarrësve dhe arriti kulmin duke fituar medaljen e arit në garën “Open Men Short” (e hapur për të gjithë pavarësisht nga mosha) për të shkurtrit midis 7 konkurruesve. Kështu, Muço, 4 herë kampion kombëtar, me një medalje argjendi dhe një bronzi në Ballkan dhe një vend të 4-t në Ballkan dhe në Botë, së fundi shkroi një faqe të re lavdie, thotë: “Kisha 9 muaj që stërvitesha dhe jam i gëzuar që arrita rezultate mjaft të larta. Në vazhdim do të përgatitem për Kupën e Botës (Ëorld Cup of Fitness And Bodybuilding) e veprimtaritë e tjera.

E pabesueshmja

E çuditshme është se pati dhe njerëz të mediave që thanë: “Nuk ka mundësi që Nikollaqi të ketë bërë këto bëma! Janë trukime. Ai nuk qe fare në Amerikë”. O Zot, mëshiroi!

Falënderimi

“Falënderoj z. Denny S. Kakos nga SHBA-ja, presidentin e INBA–së që më dha përkrahje të madhe në të gjitha drejtimet, përfshirë edhe në atë financiare, duke më ftuar dhe në aktivitetet e 2009-s, veçanërisht që më mësoi për të qenë sportist i antidopingut, gjithmonë natyral. Po ashtu, falënderoj tre biznesmenë gjirokastritë për sponsorizime të pjesshme që më bënë.

E ardhmja

Nikollaqi, i pamposhtur nga koha dhe graviteti
Do të vazhdojë për vite të tëra të ushtrojë sportin e tij të dashur dhe që tani është ftuar nga presidenti i INBA-së, Denny S. Kakos, në tri veprimtari të vitit 2009. Konkretisht është ftuar në Milano në muajin korrik për kupën e botës. Më 17 tetor 2009 në Bregun e Artë (Gold Coast) në Australi dhe më 14 nëntor në Los Anxhelos të SHBA-ve, përkatësisht në “Natural Olympia” dhe “Natural Universe”. Vetë Nikollaqi shprehet: “Po vazhdoj me rigorozitet në mënyrë sistematike, me një dietë përfekte dietologjike, stërvitjen e përditshme në mënyrë që në veprimtaritë e çdo lloj rangu që do të marr pjesë, veçanërisht në ato botërore, të paraqitem në mënyrë sa më të përkryer dhe të rifitoj medalje mundësisht të arta për të kënaqur dashamirësit e mi dhe të bëj krenarë të gjithë bashkëkombësit e mi”.

SKEDA

Emri mbiemri: Nikollaq Muço
Datëlindja: 15.07.1961
Vendlindja: Kuçovë
Gjatësia: 1.68 m
Pesha: 75 kg
Gjendja Civile: I martuar, me një djalë
Arsimi: Shkolla e Mesme Industriale Gjirokastër
Sukseset: Simbas versionit IFBB, vendi i parë 1993, Kampion Kombëtar 2003,2004, 2006; nënkampion më 2003-shin; vendi i tretë më 2005; nënkampion ballkanik më 2005-n; vendi i tretë në Ballkan më 2006-n; vendi i katërt në Ballkan më 2007-n; vendi i katërt në botë më 2007-n;
Sipas versionit INBA, vendi i katërt dhe i pestë më 2008-n; dy vende të dyta dhe një i parë më 2008-n

Hobi: Pingpong dhe bilardo
Artisti më i pëlqyer: Stiv Rivers
Muzika: Xhazi
Gjella e preferuar: Çomlek lepuri
Pija e preferuar: Vera e kuqe e Labovës së kryqit

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›