Kompjuterat, armiqtë tinzarë të syve
Profesioni që kemi shpeshherë kushtëzon mundësitë për të hedhur vështrimin larg, duke u fokusuar në këtë mënyrë për disa orë ose çaste në ekranin e kompjuterit. Në shikim të parë, efektet te përdoruesit nuk paraqesin rrezik të lartë, megjithatë secilit prej nesh i ka ndodhur që pas një kohe të gjatë të kemi pasur simptoma të tilla si: lodhje të syve, dhembje koke, lodhje, tharje të syve dhe vështirësi për t’u përqendruar. Këto simptoma megjithatë nuk shkaktohen nga ekrani i kompjuterit, por më tepër nga kushtet në të cilat ndodhet ky ekran ndër të cilat përmendim: ndriçimin e dobët, vendosjen e parregullt të pajisjes.
Pse lodhen sytë kur përdorim kompjuterin?
Janë disa faktorë që ndikojnë në lodhjen e syve. Kur mbingarkohet muskuli në brendësi të syrit, që është përgjegjës për përqendrimin, mund të ndodhin këto simptoma. Në shumë raste, simptomat nuk janë të menjëhershme, por pas disa orësh pune. Kur muskuli në sy lodhet, sytë fillojnë të lotojnë, të dhembin, por edhe të na mjegullohet gjithçka. Një dhembje e lehtë koke fillon nëse vazhdojmë sërish të punojmë. Në disa raste, muskuli mund të lodhet aq shumë saqë mund të bëjë që sytë të mos hapen plotësisht duke na kushtëzuar vështrimin në largësi. Ja cilët faktorë mund të lodhin sytë: nëse përdorim ose lexojmë diçka në kompjuter nga një distancë e caktuar për një kohë të gjatë. Edhe nëse kemi aftësi të mira për t’u përqendruar, nëse e bëjmë këtë vazhdimisht nga një distancë syri mund të lodhet dhe të na dëmtohet shikimi. Nëse lexojmë ose punojmë në një distancë shumë të afërt, do të na duhet të përqendrohemi më shumë dhe për pasojë edhe lodhja vjen më shpejt. Nëse përdorim syze të papërshtatshme ose të vjetëruara, pasojat po ashtu mund të jenë të rënda për sytë. Një tjetër faktor që ndikon negativisht është drita e pamjaftueshme ose e tepërt. Të tjera probleme që mund të kemi me sytë janë edhe alergjitë ose tharja e tyre.
Çfarë masash duhet të marrim kur kemi lodhje të syve?
Nga lodhja e syve nuk vijnë probleme të rënda si humbja e shikimit. Megjithatë, problemi kryesor qëndron në situatat e pakëndshme dhe mundësinë për t’u ndier rehat kur punojmë. Çdo person që është përdorues i kompjuterit mund të marrë disa masa për të reduktuar lodhjen e syve.
Bëni një kontroll mjekësor
Që të jemi të sigurt për problemet që kemi dhe rreziqet që na kanosen, fillimisht duhet t’i nënshtrohemi një kontrolli mjekësor. Nëse kemi vërejtur se kemi dhembje koke, lodhje të syve, shikim të mjegulluar, irritim të syve, lotim ose tharje të syve, kontrolli do të përjashtonte kushtet që ekzistojnë dhe që shkaktojnë simptomat në sy.
Përmirësimi i shikimit
Kontrolli mjekësor është më i rëndësishëm nëse përdorim syze ose lente kontakti. Bëni me dije okulistin për kohën që qëndroni para kompjuterit. Meqenëse shumica e syzeve janë menduar të përdoren për lexim nga një distancë prej afërsisht 50 centimetrash, është e rëndësishme që ato të përdoren ashtu siç këshillohet. Rekomandohet që ekrani i kompjuterit të jetë 50 deri në 66 centimetra larg syve dhe syzet tona mund të jenë programuar për të rregulluar këtë distancë. Nëse jeni mbi 40 vjeç, duhet të kërkoni një palë syze për përdorimin e kompjuterit dhe një palë të tjera për aktivitete normale.
Si ta vendosim kompjuterin?
Vendoseni monitorin, tavolinën dhe karrigen në një distancë të rehatshme dhe në lartësinë e duhur. Disa mënyra për pozicionim të mirë mund të gjenden edhe në udhëzuesin e pajisjes së kompjuterit. Shumë përdorues preferojnë të qëndrojnë 50 deri në 66 centimatra larg ekranit, por kjo distancë nga disa të tjerë zmadhohet në 45 deri në 70 centimetra. Ekrani i kompjuterit duhet të vendoset pak më poshtë nivelit të syve. Një tjetër rregull që është mirë të zbatohet ka të bëjë me faktin që
qendra e ekranit të kompjuterit duhet të jetë 10 ose 15 centimetra poshtë syve tanë. Rregulloni ngjyrat dhe dritën e monitorit në mënyrë të përshtatshme: jo shumë me ngjyra, por as të zbehtë.
Çlodhini sytë herë pas here
Përpiquni të bëni pushime të shkurtra dhe të njëpasnjëshme për çdo 20 minuta duke hedhur vështrimin diku tjetër. Tepër e rëndësishme është edhe çlodhja e trupit, shpinës dhe qafës. Rrotullojini sytë dhe bëni lëvizje të trupit duke ndryshuar pozicion. Nëse ndieni se sytë po fillojnë të lodhen, shikoni diçka që ndodhet larg jush. Evitoni të jeni afër monitorit kur jeni duke lexuar.
Sëmundja më e rrezikshme e syve
Rreziku i rritjes së sëmundjeve të syve mund të çojë në verbim kur jemi përdorues intensivë të kompjuterit. Një nga sëmundjet më të rrezikshme që është konstatuar në këto raste është Glaukoma dhe ka të bëjë me trysninë që ushtrohet në sy. Kjo trysni bën që enët e vogla të gjakut të mbingarkohen dhe gjaku më pas të rrjedhë në nervat optikë. Kjo sëmundje nuk ka simptoma të menjëhershme dhe zhvillimi i saj është i fshehtë pasi fibrat nervore janë të parat që vuajnë pasojat, të cilat vijnë nga konturi i retinës së syrit. Pacientët rrezikojnë të humbasin shikimin pa e kuptuar këtë. Disa studiues nga Tokio kanë vërtetuar se më tepër të rrezikuar nga kjo sëmundje janë personat që vuajnë nga miopia. Për këtë arsye, studiuesit vizituan më shumë se 9000 persona, ndër të cilët shumica ishin përdorues të rregullt të kompjuterit dhe pajisjeve të tjera teknologjike, ndërsa të tjerët nuk kishin kontakte me pajisje të tilla. Te përdoruesit e kompjuterit u shquan shenjat e para ose dëmtime serioze të lidhura me Glaukominë ,ndërsa te personat e tjerë këto shenja nuk ekzistonin. Në rreth dy të tretat e personave që u bënë pjesë e studimit u gjendën shenja karakteristike të kësaj sëmundjeje. Përdoruesit e kompjuterit u pyetën se sa orë kalonin para kompjuterit dhe sa prej sa kohësh e bënin këtë. Duke llogaritur kohën e kaluar para ekranit të kompjuterit dhe kohën totale në vite, punonjësit u klasifikuan në tre grupe: përdorues të lehtë, të moderuar dhe përdorues intensivë. Duke u bazuar edhe në faktorët e tjerë, studiuesit dolën në përfundimin se te personat miopë që e përdornin tepër kompjuterin, rreziku i glaukomës rritej me 82 për qind.
17 Janar 2009