E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Thaçi për vendosjen e EULEX-it

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje në Shkup një takim me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Dy kryeministrat diskutuan gjerësisht mbi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe zhvillimet më të fundit në Kosovë. Ata shprehën vendosmërinë për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat. "Me kryeministrin Thaçi dhe delegacionin e Kosovës diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe shprehëm vendosmërinë për t'i nxitur dhe fuqizuar ato në të gjitha fushat. Diskutuam për zhvillimet në rajon dhe natyrisht, për zhvillimet fundit në Kosovë. Të dy palët mbështesim vendosjen e plotë dhe të shpejtë të EULEX-it si një moment shumë të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe integrimin", theksoi kryeministri shqiptar Sali Berisha. Sipas tij, Qeveria shqiptare po i ndjek me shumë vëmendje këto zhvillime dhe konstaton se janë paraqitur dy projekte, një projekt me 6 pika dhe projekti i qeverisë së Kosovës me 4 pika. "Ne besojmë se çdo projekt që krijon përshtypjen për një ndarje në veri përbën një rrezikshmëri të madhe për paqen dhe stabilitetin. Së dyti, qeveria shqiptare mendon dhe beson se është në detyrimin absolut të saj, të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë qeverive të tjera të japë garanci të madhe për liritë e minoriteteve", theksoi Berisha. Kryeministri Thaçi faleminderoi kryeministrin Berisha për kontributin dhe rolin që ai vete dhe qeveria që udhëheq ka dhënë në këtë proces të rëndësishëm që po kalon Kosova, në procesin e ndërtimit të shtetit, të njohjeve dhe integrimeve. "E informova Kryeministrin Berisha edhe për arritjet e Kosovës, për situatën aktuale dhe për zotimin e qeverisë së Kosovës dhe vullnetin e populli për të imlpementuar dokumentin e Presidentit Ahitsari, një dokument ky bazë, mbi të cilën u shpall edhe Kosova shtet sovran, i pavarur dhe demokratik dhe procesin tjetër impelementues për ndërtimin e Kosovës demokratike me shoqëri shumë etnike, por edhe aktualitetin deri në prezantimin për 4 pikëshin", theksoi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Berisha dhe Thaçi janë takuar në ambientet e Hotel Aleksandar Palas para fillimit të Akademisë Solemne me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›