Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit të Integrimit
Ditmir Bushati do të jetë kryetar i komisioni parlamentar të Integrimit. Vendimi u mor dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kur u diskutua për zëvendësimin e detyrës që mbante ish deputetja socialiste, Ermelinda Meksi, e cila la mandatin e deputetes pas votimit të saj në parlament si anëtare e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Bushati është nga deputetët aktivë sa i takon marrëdhënieve të PS-së me faktorin ndërkombëtar. Ai është gjithnjë në krah të Edi Ramës në pritjet zyrtare që zhvillohen në selinë rozë dhe jashtë saj me personalitete të institucioneve ndërkombëtare, evropiane dhe amerikane. Ditmir Bushati deri në vitin 2005 ka qenë në krye të drejtorisë së përqasjes së legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe u largua nga kjo detyrë kur Partia Demokratike erdhi në pushtet. Drejtimi i Komisionit parlamentar të Integrimit i është lënë Partisë socialiste bashkë me komisionin e Mediave dhe atë të Shëndetsisë. Grupi parlamentar socialist pritet ti çojë kërkesën zyrtare kryetares së parlamentit për të bërë ndryshimet e duhura, ndërkohë që pritet të bëhen dhe lëvizje të tjera për të plotësuar vendet vakante të krijuara nga largimi i deputetes Ermelinda Meksi. Do të jetë seanca plenare e cila do të votojë lëvizjet e deputetëve në komisione dhe emërimin e Ditmir Bushatit në krye të Komisionit të Integrimit. Deputeti socialist është i mandatar nga kryesia e grupit parlamentar dhe kreu i PS-së për të punuar me rregulloren e Parlamentit Europian dhe arritjen e përafrimit të saj me rregulloren e parlamentit shqiptar, e cila pritet të bëhet përmes komisionit të posaçëm parlamentar për një reformë të plotë parlamentare.