E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Tokat djerrë do të jepen me një euro”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri Berisha kërkoi hartimin me shpejtësi të një programi, i cili do të mundësojë mbjelljen e 20 milionë fidanëve ullinj, në mënyrë që të nxitet kultivimi i kësaj kulture në Shqipëri. Në mbledhjen e qeverisë, Berisha u shpreh se "kultura e ullirit është një nga trashëgimitë më të çmuara që gjeneratat e shkuara kanë lënë". Kreu i Ekzekutivit theksoi më tej se “Kultura e ullirit është një nga trashëgimitë më të çmuara që gjeneratat e shkuara na kanë lënë, me rreth 5 milionë rrënjë ullinj. Nëse kemi parasysh epërsinë e vajit të ullirit ndaj të gjitha vajrave të tjera, simbolikën e tij dhe vlerësimin që shqiptari i ka bërë ullirit, duke e cilësuar si flori i mbitokës, është në detyrimin tonë që këtë trashëgimi ta shumëfishojmë në kohën më të shkurtër të mundshme. Kudo që udhëton në Shqipëri, zonat me ullinj janë shumë të shtrira dhe të gjëra, nga Ksamili deri në Shkodër, me varietete nga më të mrekullueshmet dhe cilësinë më të lartë të vajit. Kjo kërkon që ne të marrim një vendim që nga 5 milionë të shkojë në 25 milionë rrënjë ullinj”, - u shpreh Kryeministri. Për nxitjen e kësaj iniciative, kryeministri Berisha tha se qeveria do të hartojë së shpejti një program për krijimin e të gjitha mundësive për mbjelljen e 20 milionë fidanëve ullinj, si dhe do të vendosë një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha vendet që mund të ndihmojnë në realizimin e tij. “Shqipëria, - u shpreh Kryeministri, - ka djerrina, shpate kodrash dhe malesh, ku mund të mbillen plantacione ndër më të mëdhatë e ullirit. Ne kemi bërë disa nxitje në këtë drejtim, por këto janë fillestare. Ne duhet të hartojmë me shpejtësi një program, që do të mundësojë mbjelljen e 20 milionë fidanëve. Për këtë, qeveria duhet të përgatisë të gjithë stimujt nxitës dhe krijimin e mundësive për mbjelljen e tyre. Kjo fillon me identifikimin e të gjitha territoreve që janë të panumërta, me bashkëpunimin me institutet publike apo private, me një bashkëpunimi më të ngushtë me institutet e vendeve fqinje, Italisë dhe Greqisë, që qëndrojnë në krye të botës për ullirin dhe vendosjen e bashkëpunimit me të gjitha vendet, që mund të na ndihmojnë në këtë iniciativë. Qendra e kërkimeve shkencore e merr këtë si një nga drejtimet më kryesoret të punës së saj.” Kryeministri Berisha garantoi se kjo nismë do të mbështetet edhe me mobilizimin e fondeve të duhura. “Natyrisht, kjo nismë kërkon projektin dhe më pas mobilizimin e fondeve. Duhet të praktikohen të gjitha variantet. Atyre që duan të krijojnë plantacione në djerrina t u ofrohet sipërfaqja me një euro dhe kjo praktikë pozitive është filluar me dhënien e dy mijë hektarëve të parë. Ju siguroj se janë disponibël në këtë moment edhe 150 mijë hektarë të tjerë djerrina në kodra dhe jo vetëm kodra nga Shkodra deri në Ksamil. Ndaj duhet një projekt shumë i studiuar”,- u shpreh Kryeministri, duke theksuar se krahas nxitjes së zhvillimit të kësaj kulture, certifikimi i vajit të ullirit, ndonëse po ecet në këtë drejtim, duhet të marrë përparësi të madhe.
Ky lajm është publikuar: 13/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›