E Diel, 1 Nëntor 2026

KE:Debati për Kodin Zgjedhor të jetë gjithëpërfshirës

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ne presim miratimin e këtij Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës dhe transparent, që do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është këndvështrimi ynë që ky kod të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që të mundësojë që procesi i zgjedhjeve të zhvillohet në kushtet e besimit mes të gjitha partive politike, në mënyrë që zgjedhjet, por edhe rezultati i zgjedhjeve të mos kontestohet”

Këshilli i Evropës ka kërkuar dje me anë të një deklarate, që debati për Kodin e Zgjedhor në Shqipëri, duhet të zhvillohet në një diskutim të gjerë, dhe vendi i duhur për një debat të tillë është Parlamenti. Zëdhënësja e Këshillit të Evropës, Kristianë Hohman, tha se KE pret një kod gjithëpërfshirës dhe me miratimin e të gjitha partive politike në vend, në mënyrë që zgjedhjet e vitit 2009 të mos kontestohen nga askush. Ajo theksoi se, para së gjithash, kodi i ri duhet të sigurojë zgjedhje të lira në vend, dhe për këtë arsye, për shkak edhe të afrimit të zgjedhjeve parlamentare, Kodi i ri i zgjedhjeve duhet të miratohet se më parë.
Deklarata
“Komisioni Evropian ka mirëpritur klimën e dialogut mes partive kryesore politike që çoi në miratimin e një sistemi të ri zgjedhor në Shqipëri. Dhe ne presim miratimin e këtij Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës dhe transparent, që do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është këndvështrimi ynë që ky kod të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që të mundësojë që procesi i zgjedhjeve të zhvillohet nën kushtet e besimit në mes të gjitha partive politike, në mënyrë që zgjedhjet por edhe rezultati i zgjedhjeve të mos kontestohet”, - tha Kristinë Hohman. Ndryshe nga herët e tjera, Komisioni Evropian nuk ka komentuar mbi grevën e deputetëve dhe kryetarë të disa partive të vogla në Parlament, dhe as mbi detajet teknike të Kodit Zgjedhor që sollën në këtë situatë. Por mesazhi i qartë i Komisionit synon vetëm mbarëvajtjen e procesit madhor të zgjedhjeve. “Ne nuk synojmë të ndërhyjmë në bisedimet e brendshme teknike që po zhvillohen aktualisht në Parlamentin shqiptar, për sa i përket përbërjes së Komisioneve zgjedhore. Përbërjet duhet të jenë subjekt të një debati të hapur në Parlament në mes të gjitha partive politike. Dhe Parlamenti është vendi i duhur për debatin dhe për ushtrimin e influencës demokratike”, - shtoi më tej zëdhënësja e Këshillit të Evropës. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare në vitin 2009, u cilësuan në raport-progresin e fundit të si një prej kushteve kryesore që duhet të plotësojë vendi për të dëshmuar pjekurinë e klasës politike shqiptare dhe vlerat e vërteta demokratike. Të njëjtën gjë kanë theksuar dy ditë pas prezantimit të progres-raportit dhe ambasadorët Bashkimit Evropian. Në një deklaratë të përbashkët ata kanë kërkuar nga Qeveria më shumë kujdes ndaj korrupsionit, ndërsa shprehen se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një sfidë për integrimin e Shqipërisë në BE. “Një tjetër sfidë kyçe për Shqipërinë do të jenë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, që janë një çështje e rëndësisë së veçantë. Suksesi i tyre do të jetë me rëndësi qendrore për marrëdhëniet mes BE-së dhe Shqipërisë. Ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme”, - thanë ata. Ambasadorët e BE-së, inkurajojnë Shqipërinë të forcojë punën në kryerjen e reformave, në mënyrë të veçantë në sektorët për të cilët raporti i fundit i KE-së ka konstatuar pak progres, siç është sistemi gjyqësor, ndërkohë më shumë vëmendje është kërkuar dhe për luftën ndaj korrupsionit dhe mirëfunksionim të administratës.

Ky lajm është publikuar: 13/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›