Berisha: Topi do ujdi Meta-Rama
Kryeministri Berisha e cilësoi kthimin e Kodit në Kuvend nga ana e presidentit Topi, si një mundësi për gjetjen e një marrëveshjeje mes Ramës e Metës, për çështjen e anëtarëve të administrimit të votave. Ky ka qenë reagimi i parë publik i Kryeministrit Berisha lidhur me dekretin e Presidentit, duke folur dy ditë më parë në emisionin "Log" në TVSH të gazetarit Artur Kopani. Kreu i qeverisë tha se, presidenti Topi duhet të fliste hapur për këtë çështje. "Jo afate ligjore, por afate kushtetuese. Ky president dhe paraardhësit e tij nuk i kanë respektuar, siç ka qenë kryetari i Gjykatës së Lartë apo gjykatësit. Megjithatë, mund ta kthejë. Sikurse duhet të thotë haptas: e ktheva që mund të ketë një ujdi midis Edi Ramës dhe Ilir Metës. Në mënyrë absolute nuk jam kundër. Nuk them se ky është një pseudomotiv. Pati një grevë urie, 12 deputetë. Presidenti pati një prononcim dhe normal që duhej të prononcohej", u shpreh Berisha.