E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi, Meta i dërgon letër Edi Ramës

 

Aristir Lumezi

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i dërgon një letër Kryetarit të PS-së, Edi Rama për çështjet e Kodit Zgjedhor. Letra ka mbërritur dje në selinë e PS-së dhe shprehet vullneti për të garantuar standardet e zgjedhjeve. Sipas tij, garantimi i standarteve të zgjedhjeve është më i rëndësishëm se dhe rezultati i tyre. Meta shprehet se kthimi i Kodit nga ana e presidentit në Kuvend i jep një shans të majtës për tu marrë vesh mes saj. Në këtë frymë, Meta i kërkon në letrën e tij, përmes një takimi mes tyre, të gjejnë vullnetin e munguar dhe të diskutojnë në mënyrë të qartë për çështje konkrete që kanë lidhje me Kodin Zgjedhor, e veçanërisht për procesin e administrimit të tij, duke u bërë PS iniciatore e amendimeve që do të ndihmonte në radhë të parë të majtën. Dy ditë më parë, gjatë një takimi me të rinjtë matianë, kreu i LSI-së u shpreh i gatshëm për të takuar Kryetarin e PS-së për garantimin e standardeve në zgjedhjet e ardhshme. "Unë do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t'u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t'i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t'u takuar dhe për t'i ndarë nga afër edhe njëherë këto principe me të", tha Meta. Duke përshëndetur veprimin e Presidentit të Republikës për kthimin e Kodit Zgjedhor sërish në Kuvend, Meta tha se "kjo është arsyeja që Presidenti i Republikës, me përgjegjësi dhe maturi e ktheu Kodin në mënyrë që ai jo vetëm të përputhet me Kushtetutën e vendit, por dhe t'i jepet mundësi që të rishikohen ato çështje, të cilat me të drejtë janë kontestuar fuqishëm jo vetëm nga ne, por dhe nga shumë aktorë politikë brenda dhe jashtë vendit". Sipas tij, zgjedhjet nuk kanë qenë pronë as e një, as e dy dhe as e tri partive. Sepse zgjedhjet janë një moment vendimtar për të gjithë shqiptarët. Sepse zgjedhjet duhet të jenë të barabarta, duhet të jenë të lira dhe duhet të jenë të ndershme". Ende nuk ka asnjë reagim nga selia e Partisë Socialiste për këtë takim me kreun e një prej aleatëve të rëndësishme të saj në zgjedhjet e fundit të pushtetin vendor dhe pse vazhdimisht nga përfaqësues të lartë të saj hidhet ftesa për një bashkëpunim përtej të majtës dhe të djathtës në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›