“Socialistët, të shpërndarë në PS, LSI e PS’91, platforma për t’i rimbledhur”
Aristir Lumezi
Anëtari i Asamblesë së PS-së Maqo Lakrori prezanton platformën që do të garantojë fitoren e të majtës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare 2009. Lakrori, i njohur si profesor i PS-së, disa herë ministër kërkon rimbledhjen e socialistëve përmes një Kongresi që ai e quan Kongresi i Ribashkimit. Një nga themeluesit e Partisë Socialiste të qershorit 1991, Lakrori kërkon që kjo parti dhe bashkë me të e gjithë e majta të jetë e bashkuar në zgjedhjet e vitit 2009. Në formë propozimi, Lakrori ia bëri të njohur Asamblesë Kombëtare, në mbledhjen e saj të fundit të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, ndërsa ka gati platformën për ta bërë objekt diskutimi publik para se t'ia paraqesë atë mbledhjes së ardhshme të Asamblesë Kombëtare socialiste. "Socialistët shqiptarë, si ata që punuan për transformimin e Partisë së Punës në një Parti Socialiste anëtarë të Internacionales Socialiste dhe partnere të PSE-së, ashtu edhe socialistët që shton çdo ditë realiteti ekonomik dhe shoqëror i vendit, janë misionarë të së njëjtës aspiratë të përbashkët. Nga kjo pikëpamje socialistët shqiptarë nuk janë të përçarë. Megjithatë, ata sot janë të shpërndarë. Janë të shpërndarë në PS, në LSI, në PS'91 dhe jashtë tyre; madje, më të shumtët janë socialistët që kanë kaluar në indiferencë dhe zhgënjim", shprehet Lakrori në platformën e tij të ribashkimit.
Ish-zyrtari i lartë i PS, sot anëtar i Asamblesë Kombëtare analizon edhe shkaqet që kanë çuar socialistët dhe të majtën në këtë situatë të vështirë. "Kjo shpërndarje në disa parti dhe jashtë tyre, është pasojë e dëmit që shpresa dhe besimi i socialistëve kanë pësuar nga përçarjet e krerëve për pushtet personal, nga pasurimi abuziv i disave me pushtetin e ushtruar në emër të PS-së, nga mohimi i veprës shumëvjeçare të socialistëve prej atyre që çdo ndryshim e paraqesin si reformim dhe nga çdo e keqe tjetër që gjeneron egoizmi ekstrem kur mbyt solidaritetin njerëzor", shpreh Lakrori. Sipas tij, ky proces do t'u rikthente shpresën dhe besimin socialistëve dhe elektoratit të majtë. "Me shpresë dhe besim të përtërirë, me këta dy motorë shpirtërore që kanë fuqi të pashembullt kur vihen në lëvizje, Partia Socialiste do të mund t'i fitonte zgjedhjet 2009 (edhe pse sistemi zgjedhor nuk është në favorin e saj), dhe do të siguronte vazhdimin e misionit historik dhe vizionar që socialistët shqiptarë kanë marrë përsipër që nga qershori 1991", shprehet Lakrori në projektplatformën e tij. Por në propozimin e tij, Lakrori nuk përjashton dhe rezistencën e atyre që për interesa personale do mundohen ta pengojnë këtë bashkim. "Ata që duan këtë lloj ribashkimi, janë mijëra herë më të shumtë në numër dhe se sa një pakicë, e cila de facto nuk e do këtë lloj ribashkimi, sepse e ndjen si rrezik për interesat e veta", shprehet Lakrori në projektin e tij të ribashkimit të socialistëve.
Platforma e bashkimit të socialistëve
Bashkimi i socialistëve shqiptarë që tashmë janë të shpërndarë në shumë parti
Kongres i ribashkimit të socialistëve
Socialistët janë të shpërndarë në PS, në LSI, në PS'91 dhe jashtë tyre; madje, më të shumtët janë socialistët që kanë kaluar në indiferencë dhe zhgënjim
Shpërndarja dhe zhgënjimi i socialistëve si pasojë e indiferencës, frymës përjashtuese dhe abuzimit me pushtetin
Ribashkimi rrezikohet nga një pakicë në PS që e sheh atë si rrezik për interesat e veta
Kryesia dhe një grup pune të përgatisin platformën për ribashkimin e socialistëve
Kandidatët për deputetë, konkurrim në anëtarësi dhe simpatizantë sipas modelit amerikan të përzgjedhjes së kandidaturave
Garë e hapur, me konkurrim publik, kritere të përcaktuara dhe votimi përmes parimit "Një anëtar një votë", si zgjedhja e kryetarit të PS
Konkurrimi dhe bashkëpunimi Obama-Klinton është një referencë e freskët edhe për këtë parim
Lakrori: Deputetët e rinj, garë dhe votim brenda PS
Në platformën e tij, anëtari i Asamblesë Kombëtare të Socialistëve, Maqo Lakrori kërkon që kandidati i ardhshëm për deputet i PS-së të zgjidhet mbi bazën e parimit një anëtar një votë. Kjo përzgjedhje do të realizohet nga anëtarësia e PS-së. Kandidati që merr më shumë vota duhet të përfshihet në listën e "mbyllur" të PS-së për listat e partive. Ish-sekretari socialist kërkon një proces ballafaqimi me anëtarësinë dhe simpatizantët të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Duke iu referuar zgjedhjeve në Amerikë, ballafaqimeve dhe garave brenda partive, Lakrori u shpreh se "kandidatët duhet të përcaktohen nga vetë ata që do votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa kandidatët do të paraqesin në elektorat platformat e tyre. Kjo sipas Lakrorit do të garantojë fitoren e PS, pasi kandidaturat e saj do kenë kaluar më parë në filtrin e anëtarësisë dhe më gjerë, ndërsa do lehtësonte dhe mekanizimin e përzgjedhjes së tyre nga forumet e larta në PS. Kjo skemë do të shmangte dhe pakënaqësitë individuale për kandidaturat e përzgjedhura sipas parimit, një anëtar një votë. Lakrori paraqet në platformën e tij gjashtë arsye, se pse duhet të ndiqet një procedurë dhe e tillë, që sipas tij janë krejtësisht të realizueshme dhe do të krijojnë një përzgjedhje më pranë votuesit. Për të kjo është e realizueshme, mjafton vetëm vullneti i drejtuesve të lartë të PS-së.