E Diel, 1 Nëntor 2026

Shansi i fundit për Edi Ramën

Edmond Arizaj 

Edi Rama ka shansin e  fundit të mos etiketohet si sulmuesi kryesor i demokracisë dhe lirisë në Shqipëri. Dy fjalë që prej vitesh në vendin tonë dhe prej shekujsh në vendet e tjera barazvlerësohen me votën, me lirinë e zgjedhjes, numërimit dhe shpalljes së saj. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me një elegancë për t'u vlerësuar, nuk u bë me asnjë palë dhe qëndroi mbi to, në kthimin që i bëri projektit të votuar me mbi 100 vota deputetësh në Kuvend, për Kodin e ri Zgjedhor. Pavarësisht akuzave të nxituara të numrit dy të shtetit shqiptar, për anësinë e Topit nga pakica, kreu i shtetit pa përcaktuar shtegun, ka dhënë sinjal nga duhet të kalojnë partitë politike shqiptare dhe në mënyrë të veçantë Partia Socialiste dhe ajo Demokratike.
Me ftohtësinë e tij, pavarësisht prejardhjes si zëvendës në parti i Sali Berishës, Topi pa shkruar mbi letër, ka lënë të nënkuptohet se jo përherë shumica ka të drejtë, madje jo pak herë shumicat e krijuara me pahir kanë sjellë në jetë "fëmijë" të shformuar. Një shumicë e tillë u krijua edhe në Parlamentin shqiptar, vetëm pak ditë më parë në miratimin e Kodin të ri Zgjedhor, ku u përjashtua nga administrimi i zgjedhjeve të ardhshme, partia e tretë në vend. Shumica të tilla autoritariste, në Evropë, kanë sjellë pas tyre diktatura nga më të egrat. Sigurisht që Shqipëria dhe politikanët aktualë të saj, nuk e kanë fuqinë për të qenë diktatorë për Evropën, por për vendin e tyre munden që ç'ke me të. Po ashtu munden edhe t'i bëjnë dëme të pariparueshme vendit, kur kanë përballë një opozitë false.
Një dëm të tillë e bëri edhe kryeministri Berisha, karshi një prej qyteteve të shpallura si perlë e turizmit të ardhshëm prej tij e prej ministrave të MTKRS, në albumet e të cilëve asnjëherë nuk mungonte Vlora. Por këtë qytet Berisha e rrethoi. Gojë të liga pëshpërisin se kjo është një hakmarrje e vonët e tij ndaj qytetit rebel të '97, që ndihmoi në rrëzimin e tij nga pushteti. Sidoqoftë me firmën e Berishës, shumë shpejt në këtë qytet do të ankorohen tankerat me naftë (petrolifera është duke përfunduar), me firmën e tij qyteti do të rrethohet nga gjigandë lëvizës që do të përpunojnë erën, me firmën e tij do të rrafshohen mijëra hektarë pyje të Llogarasë, me firmën e tij, nga qyteti më i afërt, Fieri, drejt Vlorës do të vijë vetëm era e gazit. Dhe në gjithë këto firmosje, dhe në rrethimin që i bëhet qytetit, opozita e Edi Ramës nuk ka bërë asnjë kundërshtim serioz. Nuk ka bërë asnjë organizim masiv ndaj "vrasjes" së këtij qyteti që ndërmori Berisha. Nuk reagoi se një kryeministër i një vendi të huaj, mik, por gjithsesi i huaj, e ktheu Shqipërinë në hambar mbeturinash për vendasit dhe në minierë floriri për qytetarët e tij. Dhe as italishtja e çuditshme e kryeministrit shqiptar, e shoqëruar me nënqeshje nga homologu nuk mund ta mbulonte këtë fakt. Për këto firma nuk reagoi as kreu i prag-100-ës, Erion Veliaj, që deklaronte me zell se nuk e zë gjumi natën për suvanë e rënë të juridikut. Ndoshta është ende i vogël për politikën e madhe.
Ky ishte dëm i ardhur nga maxhoranca e PD me PS-në, ose më saktë nga lidhja mes Berishës dhe Ramës, që thjesht urdhërojnë të vetët për ngritjen e jeshiles, pa ditur se çfarë votojnë. Pa u lodhur shumë mund të mendohet se PS ose Rama reagoi zbehtë, ose pothuaj fare, sepse marrëveshja me PD dhe Berishën nuk e lejon. Unë nuk të ngacmoj, t'i nuk më ngacmon. Përfundim i kësaj formule ishte edhe dhënia me koncesion e Vlorës, firmosja mes buzëqeshjeve i shkatërrimit të këtij qyteti, me përfitues të vetëm Berishën. Ku qëndron fitimi i qytetit tim??? Ku është fitimi i mijëra qytetarëve??? Ku është fitimi i miliona shqiptarëve??? Këtë e di Berisha. Por e di edhe Rama që gëzimin e vetëm të qëndrimit pranë Berluskonit pati dëgjimin e batutave të Cavalierit, pa guxuar të pyesë qoftë edhe me zë të ulët për përfitimet e vendit që ai kërkon të drejtojë pas një viti.
Gjithsesi, Presidenti i Republikës Bamir Topi i dha shansin e papritur Edi Ramës për të treguar se nuk është i ngërthyer me Berishën dhe nga dëshira për të eliminuar demokracinë dhe lirinë. Madje këtë radhë ai ka "leje" edhe nga kryeministri. Ose më saktë, ai këtë radhë u la vetëm nga Berisha, për t'u përballuar me akuzën, se është Rama dëshiruesi kryesor i eliminimit të LSI-së nga administrimi i zgjedhjeve. E me këtë rast, edhe ekspertët apo negociuesit, teknikë dhe deputetë, mund të shfajësohen se nuk mund të numëronin muajt e presidentit, kur presoheshin për të caktuar numëruesit e votave. Edi Rama, për të mos sjellë në jetë një "fëmijë" të shformuar, duhet të rinegociojë për anëtarët e komisioneve, ose përkatësinë e tyre. Logjikisht. Tjetër punë, nëse Rama del edhe kundër kësaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›