Berisha: Transparencë e zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Brdo të Sllovenisë se vendimi i pardjeshëm i Kuvendit krijon mundësinë e realizimit të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. “Shqipëria është një vend i lirë. Opozita ka të gjitha hapësirat për të marrë pjesë në Parlament, për të marrë pjesë në komision, për të protestuar. Të gjitha këto i ka dhe do t’i ketë të garantuara në një sistem demokratik”, tha Berisha për median. Sipas tij, hetimi i zgjedhjeve nuk duhet të tejkalojë Kushtetutën dhe ligjin. Mendoj se Parlamenti shqiptar po tregon një frymë dhe një vullnet bashkëpunimi të paqortueshëm. Mendoj se deklarata e djeshme e komisionerit Fule, i cili siç më deklaroi mua, i ka deklaruar edhe Edi Ramës, ka qenë deklaratë totalisht dhe tërësisht në emër të Komisionit Evropian, pra, është deklaratë e institucionit nga i cili ai erdhi dhe përbën me të vërtetë një mundësi shumë të madhe. Kushtetuta e Shqipërisë duhet të respektohet, transparenca duhet të realizohet. Që të dyja këto për Shqipërinë janë 100 për qind të mundshme. çfarë thotë komisioni? Thotë transparencë të plotë. Por mendoj se asgjë nuk mund të jetë dhe askush nuk mund të kërkojë që të dalë mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi gjykatat e vendit”, deklaroi Kryeministri. Sipas liderit të maxhorancës, nëse ekziston vullneti dhe dëshira nga ana e opozitës, ai komision është i aftë të realizojë transparencën e plotë, absolute dhe totale të procesit zgjedhor. Shteti shqiptar, demokracia shqiptare i ka të gjitha instrumentet të gatshme për realizimin e saj.