E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, hetim i zgjedhjeve nis këtë javë



BLEDAR HOTI

Partia Demokratike duket e vendosur në nisjen e punës së komisionit parlamentar hetimor, pavarësisht mungesës së opozitës. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi, në një prononcim për median deklaroi se “që në javën e ardhshme, komisioni do të nisë punën e tij sipas axhendës së përcaktuar”. Sipas tij, pavarësisht se opozita mund të lërë vendet bosh, maxhoranca është e vendosur për të realizuar transparencën e zgjedhjeve brenda kornizës kushtetuese, siç edhe kërkojnë edhe ndërkombëtarët. “Në javën tjetër besojmë se do të fillojmë punën e komisionit, sepse komisioni sigurisht ka një axhendë, funksionon mbi bazën e rregullave të këtij shteti. Komisioni do të mblidhet, sigurisht që të gjithë deputetët janë të mirëpritur, siç janë të mirëpritur në Parlament, do të jenë të mirëpritur edhe në komisionin hetimor dhe që do të vazhdojë me përcaktimin e planit të hetimit, e provave që do të merren, me përcaktimin e procedurave të tjera hetimore që do ketë komisioni, një komision që do të ketë një afat normal”, deklaroi Halimi, i cili është edhe anëtar i këtij komisioni. Sipas tij, dispozitat e projektligjit, që përcaktonin tre muaj apo dy vjet nuk u kalua, por komisioni hetimor i sapongritur do të bazohet në ligjin aktual, i cili do ia lërë në dorë Kuvendit përcaktimin e afatit të komisionit”. Aktualisht në vendimin e seancës të së enjtes është vendosur që afati i këtij komisioni të jetë 3 muaj. Objekti i punës të komisionit hetimor për këto tre muaj do të jenë: “a) hetimi i akuzave dhe dyshimeve publike të bazuara të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor; b) hetimi i dyshimeve dhe akuzave të bazuara të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit; c) hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ-së në lidhje me përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave; ç. hetimin e akuzave publike të bazuar për përdorim të mjeteve publike, si dhe të administratës në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore”. Gjithashtu komisioni do të realizojë dhe hetimin e akuzave të bazuara për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik për shkaqe që lidhen me fushatën, të kryera gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009, periudhën vijuese pas saj, si dhe hetimin e rasteve të dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009. Ndërsa në vendim është përcaktuar se Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje, përveç çështjeve për të cilat ka vendime të gjykatave të vendit, janë në shqyrtim gjyqësor apo për të cilat është regjistruar kallëzim penal në Prokurori. Objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat tregojnë qartë se për çfarë po hetohet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›