E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Uji i Fierzës u mbajt në nëntor

Mbledhja e Këshillit të Ministrave u zhvillua dje në qytetin e Shkodrës, ndërsa kryeministri ka lëvduar punën e qeverisë

Sipas kreut të qeverisë është hera e parë në historinë e këtij vendi që lëshimi i ujërave bëhet me paralajmërim

SHKODËR - Uji i Fierzës është mbajtur që në ditët e fundit të nëntorit. Një gjë e tillë u deklarua nga Kryeministri Berisha të mërkurën gjatë mbledhjes së qeverisë, e cila u zhvillua në qytetin e Shkodrës.

Duke mohuar se në dhjetor ishte dhënë urdhri për moshapjen e portave, me qëllim ruajtjen e ujit për të shitur energji, kreu i Këshillit të Ministrave u shpreh se "Fierza u mbajt ditët e fundit të nëntorit".

Kreu i qeverisë tha se "ata që bëjnë "sherr budallën" duke i thënë Shkodrës se qeveria e rezervoi ujin për ta shitur me çmim më të shtrenjtë në janar, ata bëjnë vetëm sherr budallën, dhe këtë thonë ata e bënte sepse ERE rriti çmimin".

Por sipas Berishës, "ERE rriti çmimin nga 17 lekë të vjetra në 22 lekë të vjetra në një kohë kur në çdo orë, në çdo ditë të tetorit, të nëntorit, të dhjetorit, qeveria dhe KESH mund ta shisnin energjinë me së paku 45 lekë deri në 50 lekë të vjetra".

Ndërkohë, ai deklaroi se "ata të cilët klithin se pse nuk u lëshua Fierza, Fierza u mbajt ditët e fundit të nëntorit dhe jua them unë arsyet, pikërisht sepse një përmbytje e menjëhershme mund të ishte katastrofale për jetët e njerëzve",- tha kryeministri i vendit gjatë mbledhjes së qeverisë.

Berisha: Gjithçka u paralajmërua

Berisha ritheksoi faktin se ajo që ndodhi ishte një fenomen natyror. Ai u shpreh se të gjithë vëzhguesit më seriozë të motit dhe përmbytjeve, cilësuan si shkak reshjet e mëdha duke i dhënë një vlerësim të shkallës së dytë që përsëritet më rrallë se 1 herë në 100 vite. "Reshjet e papara dhe shkrirja në janar në 24 orë e borës së të gjitha masivit të Alpeve krijoi një situatë të paprecedentë, - tha Kryeministri.

Duke vijuar me punën e mirë të qeverisë, Berisha tha se "dua ta ketë të qartë çdo qytetar, se ky ka qenë rasti i parë në historinë e këtij vendi që lëshimi i ujërave është bërë me paralajmërim të plotë, në përputhje me ligjin dhe moralin e autoriteteve vendore".

Do të zhdëmtohet gjithkush

Kryeministri ripremtoi dëmshpërblimin e të dëmtuarve duke theksuar se "jam në Shkodër bashkë me qeverinë për të garantuar çdo qytetar të këtij rrethi dhe këtij qyteti se qeveria do të zhdëmtojë dhe askërkujt nuk duhet t'i rëndojë dhimbja e mallit të dëmtuar, se ne do ta kompensojmë atë një për një.

Por për ne rëndësi vendimtare ka shpëtimi i jetëve njerëzore dhe mundësisht gjësë së gjallë. U bëj thirrje qytetarëve kudo që ndodhen, të kërkojnë ndihmë dhe ta dinë se ne do të bëjmë çdo gjë për t'i arritur ata".

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë kërkoi nga ministrat hartimin e programeve të post emergjencës, duke cilësuar si shumë të rëndësishme rehabilitimin e zonës. Berisha theksoi edhe nisjen e punës për thellimin e grykëderdhjes së Bunës.

Si edhe më parë ai theksoi se ishte në projekt kthimi i Bunës në një lumë të lundrueshëm, teksa theksoi se ura e projektuar është me hapje, ndërkohë që një tjetër urë do të ndërtohej për lidhjen e Shëngjinit me Ulqinin.

Lidhur me bypassin e Shkodrës, projekti i të cilit ka përfunduar, Berisha kërkoi rishikimin e tij, duke projektuar nga njëra anë by pass dhe nga ana tjetër tjetër argjinaturën e fuqishme të të gjithë zonës së bregut të liqenit. "Është i kushtueshëm, por i domosdoshëm", u shpreh kreu i qeverisë.

Duke vlerësuar punën e bërë në kohën e përmbytjeve, Berisha tha se "ne që organizuam operacionin e shpëtimit më të suksesshëm në historinë e këtij vendi, do t'i përgjigjemi me vendosmëri gjithë problematikës në mënyrë që përmbytja të shmanget në maksimumin e të gjitha mundësive dhe unë jam shumë optimist se ne do të ecim me këto projekte".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›