Pezullohet linja Tiranë-Elbasan për trenat

Rrëshqitja e dheut ka dëmtuar hekurudhën mëngjesin e djeshëm. Treni i linjës është ndaluar në kohë
ELBASAN - Prurjet e shumta të lumit Shkumbin gërryejnë hekurudhën, ndërsa ndalet treni i linjës Tiranë-Pogradec, pasi kalimi i tij mbi shinat e dëmtuara përbënte rrezik.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme kur pasi ka marrë lajmërimin për dëmtimin e plotë të linjës, mashinistit i është dashur të manovrojë me shpejtësi duke ndalur trenin. Në tren ndodheshin edhe 80 udhëtarë, të cilët kanë vazhduar për në destinacion me mjete të rastit.
Mësohet se në segmentin hekurudhor Elbasan-Librazhd në afërsi të tuneleve të fshatit Mirakë ishte regjistruar një rrëshqitje dhe gërryerja e trasesë së linjës hekurudhore. Treni i pasagjerëve i linjës Tiranë-Pogradec ishte duke udhëtuar nga Elbasani në drejtim të Librazhdit, por në afërsi të fshatit Mirakë reshjet e dendura të shiut dhe rrëshqitja e dheut kanë dëmtuar rëndë hekurudhën.
Punëtorë të mirëmbajtjes dhe mashinisti kanë mundur të manovrojnë duke ndaluar trenin vetëm pak metra larg rrezikut. Pasagjerët kanë zbritur nga treni dhe drejtoria e hekurudhës ka marrë masa për të gjetur autobusë për t'i transportuar në drejtim të Pogradecit. Por mjaft prej udhëtarëve më pas janë nisur me mjete të rastit drejt destinacionit të tyre.
Përgjegjësi i mirëmbajtjes së linjave, Skënder Sinani, shprehet se udhëtarët kanë qenë në rrezik pasi hekurudha në këtë vend nuk ishte e sigurt.
"Mundëm të njoftojmë mashinistin dhe të parandalojmë fatkeqësinë. Morëm të gjitha masat për të zbritur udhëtarët dhe në bashkëpunim me drejtorinë i transportuam ata me autobusë. Por udhëtimi me tren në këtë aks rrugor nuk është i sigurt. Duhen ndërhyrje dhe investime që traseja të garantojë lëvizjen e trenave".
Ndodhur përballë kësaj situate drejtoria e hekurudhës në Elbasan ka pezulluar pa afat lëvizjen e udhëtarëve në këtë aks rrugor.
Specialisti Sinani shprehet se "për këtë qëllim janë njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës në Durrës, e cila do të dërgojë një grup pune për të verifikuar situatën. Më pas do të vendoset për transportin e udhëtarëve".
Për shkak të territorit ku shtrihet, linja hekurudhore me drejtim Pogradecin shpesh është kthyer në problemin më të madh të specialistëve dhe të drejtorive të emergjencave. Masive dheu kanë mbuluar disa herë linjën për të mbërritur në gërryerjen e regjistruar një ditë më parë ka avancuar me shpejtësi gjatë natës.
Pritet që traseja të riparohet brenda një kohe të shkurtër përgjigjen specialistët, por deri atëherë linja e trenit Elbasan-Pogradec nuk do të funksionojë për udhëtarët.