E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, përplasen dy furgonë, një e vdekur, dy të plagosur

AKSIDENTI/ Policia ka vënë në pranga shtetasin Myzafer Pëllumbi, drejtues i njërit prej furgonëve

Albina Gocaj, nga fshati Obot, kishte kaluar me varkë deri në Muriqan, teksa ishte nisur për Pazar në Shkodër

SHKODËR - Dy furgonë të linjës Ura e Bunës - Muriqan janë përfshirë në një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:45 të së martës, në afërsi të fshatit Zues, pranë një guroreje.

Mjetet tip furgon me targa SH 9253 C dhe SH 2669 D që lëviznin në drejtime të ndryshme, janë përplasur me njëri- tjetrin. Si pasojë e përplasjes ka vdekur menjëherë shtetasja Albina Gocaj, 48 vjeçe, si dhe janë dëmtuar rëndë shtetasit Valentin Gocaj, 58 vjeç, dhe Vehbi Verri, 54 vjeç, që ndodhen në spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë.

Mësohet se të tre këta shtetas po udhëtonin si pasagjerë në mjetet e përfshira në aksident. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të njërit prej mjeteve nga drejtuesi i tij, pikërisht ai i furgonit tip "Volksvagen" me targa SH 9253 C. si rrjedhojë, shtetasi Myzafer Pëllumbi nga Oblika është vënë në pranga, nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima 48-vjeçare është nga fshati Obot, i cili ka qenë fshati i parë që është përmbytur. Sipas bashkëshortit të saj, Prek Gocaj, ajo kishte dalë me varkë deri në Muriqan, pastaj kishte hipur në furgon pasi do të shkonte për të blerë në qytet. "I shpëtoi ujit, por e mori vdekja në rrugë duke lëviz me furgon", -shprehet i dëshpëruar bashkëshorti i viktimës.

Për Prek Gocajn problem më vete ka përbërë edhe ceremonia mortore, pasi Oboti është nën ujë. Për këtë, ai i është drejtuar për ndihmë kryetarit të komunës Ana e Malit dhe me ndihmën e shtetit është bërë e mundur që kufoma të dërgohet me mjete motorike deri tek ura pranë Muriqanit dhe aty me varkë është dërguar në Obot. Po kështu, me varka kanë shkuar për ngushëllime të njohur e të afërm të familjes Gocaj.

Varrimi i Albina Gocajt do të bëhet të mërkurën në fshatin Mushan të komunës Dajç, ku varrezat nuk janë në ujë, fillimisht me varkë e më pas me mjete tokësore. Dëmtime të rënda ka pësuar dhe Valentin Gocaj, nëpunës i komunës Ana e Malit i cili kishte qenë tek Fshati i Paqes dhe po shkonte në punë.

Kjo është viktima e dytë e aksidenteve automobilistike të ndodhura që nga fillimi i këtij viti në qarkun e Shkodrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›