E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohen dy anglezët, për abuzime me të mitur

Robin Arnold dhe Kristodulu u dënuan dje me 39 vite burg për abuzime me të miturit në qendrën "Fëmijët e tij"

Kristodulu u dënua 20 vite burg, Arnold me 15 vite, ndërsa pas vendimit akuzuan gjykatën si të korruptuar dhe të padrejtë

TIRANË- Pas më tepër se 20 muajsh, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendosi dënimin e dy të pandehurve anglezë, Dino Kristodulu (Dino Christodhoulu) dhe Robin Arnold, të akuzuar për abuzim homoseksual me të miturit endacakë që strehoheshin në ish-qendrën bamirëse "Fëmijët e tij" e drejtuar nga David Braun, i dënuar më parë nga gjykata për të njëjtin krim.

Kryesuesja e treshes gjykuese të kësaj çështjeje, Shefkije Demiraj, lexoi për rreth 30 minuta vendimin e arsyetuar për deklarimin fajtorë dy anglezëve të akuzuar opër "pedofili". Sipas vendimit në total ata duhet të vuajnë 35 vite burg së bashku, për abuzimet e kryera.

Sipas vendimit të djeshëm, gjatë procesit u faktua me prova dhe dëshmi të ndryshme se dy të pandehurit gjatë qëndrimit të tyre në qendrën e ashtuquajtur bamirëse "Fëmijët e tij" në kryeqytet, kanë abuzuar homoseksualisht me të mitur që strehoheshin në këtë qendër.

Për këto abuzime, dy të pandehurit Kristodulu dhe Arnold kanë konsumuar veprat penale të "marrëdhënieve homoseksuale me të mitur" në bashkëpunim. Sipas gjykatës, i pandehuri Dino Kristodulu gjatë qëndrimit të tij në qendrën bamirëse ka abuzuar me dy të mitur, për të cilët dënohet me 20 vjet burg.

I pandehuri Robin Arnold gjatë qëndrimit të tij ka abuzuar seksualisht vetëm me një të mitur për krim të cilin dënohet me 15 vite heqje lirie.Me përfundimin e viteve të dënimit, gjykata vendosi që dy të pandehurit të dëbohen për në shtetin e tyre, si persona "non grata" në Shqipëri.

Në kohën kur gjyqtarja shqiptoi masat e dënimit, i pandehuri Kristodulu në mënyrë demonstrative la sallën e gjyqit duke akuzuar gjykatën për korrupsion dhe jo të drejtë. Po të njëjtat akuza lëshoi ndaj gjykatës edhe i pandehuri Arnold, por pas largimit të togave të zeza nga salla e gjyqit.

Ndërkohë, seancën e kaluar avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit kërkuan pafajësi dhe drejtësi në gjykimin e tyre. Prokurorja Eriona Lamka gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, kërkoi nga gjykata që dy të pandehurit të dënohen në total me 39 vite burg, 22 vite për Kristodulu dhe 17 vite për Arnold.

Dy të pandehurit e dënuar dje nga Gjykata kryeqytetit, u ekstraduan nga Anglia për në Shqipëri në maj të vitit 2008 për tu gjykuar për akuzat që rëndonin mbi ata. Sipas vendimit të gjykatës, është provuar se dy të pandehurit Kristodulu dhe Arnold kanë punuar pranë qendrës bamirëse "Fëmijët e tij" të drejtuar nga administratori David Braun gjatë periudhës kohore 2003-'06.

Gjatë kësaj kohe është faktuar se i pandehuri Dino Kristodulu ka abuzuar me dy të mitur të moshës 6 dhe 7 vjeç, në kohën kur këta të mitur jetonin dhe banonin në këtë qendër bamirësie që ndodhej në rrugën "Dervish Hekali", në banesën private me nr. 32, për shkak të kushteve të rënda ekonomike në familjet e tyre.

I pandehuri Robin Arnold gjatë qëndrimit të tij në këtë qendër bamirëse ka abuzuar seksualisht me një të mitur të moshës 6 vjeç. "Përveç abuzimit homoseksual ndaj të miturve, të pandehurit kanë përdorur edhe sende të forta për të kryer veprën penale, si pinca, e metoda të tjera sadiste"-thuhet në vendim.

Drejtues i qendrës Braun u dënuar me 20 vite burg

TIRANË- Po për të njëjtën vepër penale, por nga një trup gjykues tjetër, Gjykata e Tiranës, ka deklaruar fajtor për "pedofili" dhe e ka dënuar me 20 vite heqje lirie drejtuesin e kësaj qendrës, britanikun David Braun.

Ka qenë muaji tetor i vitit 2008, kur pas nëntë muajsh gjykim, togat e zeza kanë vendosur deklarimin fajtor të 60- vjeçarit Braun, duke e dënuar me 20 vite heqje lirie.

Masë kjo e dënimit e kërkuar edhe nga prokurori i çështjes në atë kohë, duke akuzuar drejtuesin e qendrës bamirëse "Fëmijët e tij" Braun për abuzime me dy të mitur në këtë qendër gjatë periudhës kohore 2003-"05.

"Gjatë fazës gjyqësore është provuar dhe faktuar me anë të dëshmitarëve të viktimave se i pandehuri David Braun ka konsumuar veprën penale të "marrëdhënieve homoseksuale me të mitur" në bashkëpunim. Vepër për të cilën dënohet me 20 vjet burg.

Gjithashtu, pas vuajtjes së dënimit anglezi Braun duhet të dënohet nga Shqipëri si person i padëshiruar nga shoqëria shqiptare"-thuhej në vendimin e Gjykatës më 15 tetor 2008.

Ndërkohë, po për akuzat e abuzimit në këtë qendër, policia dy ditë pas arrestimit dhe mbylljes së kësaj qendre kishte arrestuar dhe gjykuar edhe kuzhinierin e kësaj qendre, shtetasin Janaq Papleka i cili u dënua për veprën penale të "mos kallëzimit të krimit".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›