Pretenca, kërkohen 26 vite burg për Shullazin e "ortakun" e tij
TRAFIKU I DROGËS
Prokuroria kërkoi dënimin me nga 13 vite burg për dy të akuzuarit e një rrjeti të trafikut të drogës Turqi- Shqipëri- Itali
Të pandehurit akuzoheb se bënin pjesë në një rrjet që e dërgonte heroinën në një laborator përpunimi në Milano gjatë 2004
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në përfundim të procesit gjyqësor, kërkoi dje nga togat e zeza dënimin me 26 vjet burg në total për dy të pandehurit Emiljano Shullazi dhe Ergys Ferhati, të cilësuar nga akuza si ndër furnizuesit kryesore të tregut italian me heroinë gjatë vitit 2004.
Sipas prokurorit të çështjes, Adnan Xholi, është provuar se të pandehurit Shullazi dhe Ferhati në bashkëpunim edhe me personat e tjerë tashmë të dënuar, kanë kryer veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike" nga Turqia në Shqipëri me destinacion Italinë.
Për secilin nga të pandehurit, prokurori i çështjes kërkoi dënimin me nga 13 vite burg, por nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar, të pandehurve i ulet automatikisht 1/3 e dënimit. Përfundimisht, sipas akuzës duhet të vuajnë nga 8 vite e 8 muaj burg.
Sipas konkluzioneve të prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me persona të tjerë, siguronin drogën nga Turqia me ndihmën e një "furnizuesi" me emrin Mehmet dhe më pas nga Shqipëria e dërgonin atë në laboratorin e përzierjes që ndodhej në Milano të Italisë. Brenda një viti, autoritetet italiane kanë mundur të sekuestrojnë rreth 54.4 kg heroinë dhe 100 kg lëndë e përdorur për përzierës droge që transportohej nga korrierë shqiptarë, kroatë, turq, italianë e gjermanë.
Kjo sasi droge është dërguar nga dy grupe nga Shqipëria, por në role të ndryshme dhe që furnizoheshin nga i njëjti person në shtetin turk me emrin Mehmet. Droga lëvizte në itinerarin Turqi-Bullgari-Maqedoni- Shqipëri, e më pas dërgohej në Itali me transportues të ndryshëm.
Në grupin e dytë të kësaj dosjeje, sipas akuzës, bënin pjesë dy të pandehurit Shullazi e Ferhati e disa persona të tjerë. Pavarësisht akuzave, asnjë nga dy të pandehurit nuk kanë pranuar ato, duke i cilësuar si të montuara nga prokuroria italiane dhe shqiptare.
"Grupi i dytë përbëhej nga Ervin Ferhati (Ergys Ferhati), Emiljano Shullazi (Anton Nikolli), Ardit Berati dhe Gëzim Veseli. Dy të parët, Shullazi e Ferhati, kishin role organizuese dhe drejtuese, në lidhje me operacionet e trafikut të drogës, kurse të pandehurit e arrestuar në Itali, Ardit Berati e Gëzim Veseli zbatonin urdhrat e drejtuesve, duke tërhequr drogën e duke e shitur tek të tretët, ndërsa lekët i postonin më pas për në Shqipëri.
Ndërkohë, po për këtë çështje dy të dënuarit e djeshëm, në janar të 2009 janë deklaruar fajtorë nga kjo Gjykatë, nga një trup tjetër gjykues. Nga ky vendim, dy të pandehurit janë dënuar me nga 13 vjet secili, por, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda këtë dosje e ka kthyer mbrapsht duke shfuqizuar vendimin e dhënë, për shkelje procedurale.
Ndërkaq, nga përllogaritja e ditëve të paraburgimit të pandehurve Shullazi e Ferhati i duhet ndryshuar masa e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie" aty nga muaji mars, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit që janë tre vjeçare.
Si dhe nëse deri në mars ndaj dy të pandehurit nuk merret një vendim i formës së prerë. Arrestimi i Shullazit dhe Ferhatit u krye në vitin 2006 pas ardhjes së dosjes me anë të letër-porosisë nga shteti italian, i cili për dy vite rresht i kishte hetuar e përgjuar numrat e telefonit që të pandehurit i përdornin.
Rastet e trafikut të drogës së grupit të kapura nga policia
RASTI I
Në datën10/06/2004, Artan Shabani dhe "GUBETINI" kanë furnizuar me sasinë prej 100 kg substancë përzierëse organizatën. Në veprimtarinë e tyre kriminale kanë përdorur si korrierë shtetasit gjermanë Isabella Sonya Silberhorn dhe Josef Huber
RAST II
Më 16 - 18 gusht të vitit 2004, te pandehurit ErgesYmeraj, Landi Baçi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin "Mehmet" si dhe me korrierin Nevzdet Haziri ( i arrestuar ne Itali), kanë trafikuar sasinë prej 10 kg heroine
RASTI III
Më 18-21 gusht 2004, të pandehurit në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin "Mehmet" si dhe me korrierin kroat Zdravko Sagolj,në kuadër të organizatës kriminale kanë trafikuar 11 kg heroine në Itali
RASTI IV
Më 22-25 gusht 2004, të pandehurit, në bashkëpunim dhe me korrierin Dashnor Mehmeti, kanë kryer në Lambrate Milano-Itali tregtimin e 5 kg heroinë. Korrierit i është sekuestruar droga dhe është arrestuar nga italianët
RASTI V
Më 28 - 29gusht 2004 dhe 3 shstator2004 të pandehurit, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin "Mehmet", kanë trafikuar në territorin e shtetit italian një sasi prej 15 kg heroinë. Droga me cilësi të keqe është kthyer mbrapsht
RASTI VI
Më 25 tetor 2004 dhe 1 nëntor 2004, të pandehurit dhe furnitori turk me emrin "Mehmet",me anën e korrierit Branko Govedaroviç (i arrestuar në Itali) kanë trafikuar 11.2 kg heroinë. Ajo i sekuestrohet korrierit Branko Govedaroviç, i cili arrestohet në flagrancë
Ekstradohet nga Italia i dënuari për vrasje
TIRANË- Interpol Tirana ka ekstraduar të dënuarin me 19 vjet burg, i dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasje. Gjoleka Misiraj, 48 vjeç, nga qyteti i Fierit, është ekstraduar të hënën nga shteti fqinj, Itali, rreth orës 23 e 45 minuta, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, bënë të ditur dje burimet zyrtare nga Policia e Shtetit.
Në njoftimin zyrtar të Policisë në lidhje me ekstradimin e Misirajt thuhet se ky i fundit më datë 27 korrik 1997 rreth orës 15 e 30, në bashkëpunim me persona të tjerë, në fshatin Allambroza të Beratit ka qëlluar për vdekje me armë zjarri Kastriot Shehun. Nga të dhënat që i referohen dosjes së tij penale mësohet se Shehu është vrarë për hakmarrje, ndërkohë që 48 -vjeçari i ekstraduar ishte larguar në Itali për t'i shpëtuar arrestimit të policisë.
Për vrasjen e ndodhur 12 vjet më parë, Gjykata e Beratit e ka dënuar Gjoleka Misirajn me 19 vjet heqje lirie më 17 shtator 2007. I kërkuari është arrestuar nga autoritetet e policisë italiane në maj të vitit që kaloi, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri, për të vuajtur dënimin që ka marrë.
Policia rrugore ndëshkon 185 shoferë
TIRANË- Edhe fillimi i vitit 2010 e ka gjetur në aksion Policinë rrugore të kryeqytetit, e cila ka vazhduar të ndëshkojë shoferët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Gjatë dy ditëve të fundit, Policia ka vendosur 185 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke qarkulluar në kundërshtim me rregullat e qarkullimit.
Kontrollet Policisë rrugore në Qarkun e Tiranës janë përqendruar në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe për parkimet e gabuara.
Në qendër të kontrolleve të efektivave të rrugores kanë qenë dhe parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës, të cilat bëhen shpesh shkak i bllokimit të qarkullimit të makinave.
Shërbimet e Policisë Rrugore në Tiranë kanë vazhduar ndëshkimin e shoferëve për ndërgjegjësimin e tyre, për të respektuar normat e kodit rrugor me qëllim shmangien e aksidenteve. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit , gjatë vitit 2009 në qarkun e Tiranës kane humbur jetën në aksidente 76 persona në 587 aksidente të ndodhura gjatë vitit, 69 persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe 501 persona të plagosur lehtë.