Berisha: Ulja e taksave, rruga e lirisë së tregut
Qeveria do ulë taksat edhe gjatë mandatit të tretë
Kryefjala e mandatit të ri të Partisë Demokratike pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, do jetë ulja e taksave. Një fakt të tillë e konfirmon vetë kreu i demokratëve dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili shprehet se qeveria e djathtë do vazhdojë t’i përmbahet filozofisë së taksave të ulëta. Për shefin e ekzekutivit, ky është modeli më i suksesshëm, për të nxitur zhvillimin e biznesit në vend dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Unë ju garantoj se sa kohë, kjo qeveri të jetë në pushtet - dhe e shoh që në horizont po del gjithnjë e më i qartë mandati 2013-2017, - nuk do të ketë rritje taksash, e kundërta do të ndodhë, sërish do të ketë ulje të tjera. Unë ju garantoj se taksat nuk do të rriten. Përkundrazi, ato do të ulen. Ulja e taksave është rruga më e sigurt për zgjerimin e lirisë së tregut, rruga më e sigurt për krijimin e vendeve të punës”, u shpreh kryeministri Berisha gjatë vizitës në panairin “Work and Study” (Punë dhe Studim), organizuar në Pallatin e Kongreseve nga Bashkia e Tiranës dhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë.
Kreu i qeverisë i premton biznesit se qeveria e drejtuar prej tij do bëjë gjithçka për të lehtësuar veprimtarinë ekonomike dhe gjallëruar biznesin në vend. Kjo nënkupton lehtësira të mëtejshme fiskale nga të cilat do të përfitojnë të gjitha ndërmarrjet e punësimit.
“Ju jap fjalën se qeveria do të bëjë gjithçka, për të lehtësuar veprimtarinë tuaj. Qeveria, në një partneritet të ngushtë me sektorin privat, do të krijojë të gjitha kushtet që ju të gjeneroni çdo orë, çdo ditë e çdo javë, vende të reja pune”, tha më tej kryeministri Sali Berisha.
Çështja e sistemit të taksave është sfida e programeve politike e të dy krahëve të politikës. Kryetari i PS-së, Edi Rama ka nisur fushatën elektorale duke prezantuar një model ekonomik që në thelb synon rritjen e taksave për biznesin e madh, pa u shqetësuar për pasojat dhe efektet e një ndërhyrje të tillë në sektorin më nevralgjik të shtetit. Nga ana tjetër, demokratët i mbeten besnikë modelit të suksesshëm të aplikuar pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, në vitin 2005. Pikërisht, platforma elektorale e PD-së për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm i referohet vazhdimësisë së këtij modeli ekonomik, përmes lehtësimit fiskal, uljes së taksave dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Ky është edhe ndryshimi mes dy platformave; atij të rritjes së taksave dhe shkurtimit të vendeve të punës që propozon PS dhe; modelit që ofrojnë demokratët, duke ulur taksat dhe rritur punësimin!