E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Unaza Verilindore “Valbonë-Librazhd” përfundon për 100-vjetorin e Pavarësisë

05-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje ecurinë e punimeve në rrugën Librazhd – Fushë Studen, me gjatësi 41 kilometra dhe investim me vlerë 2.8 miliardë lekë. Kjo rrugë lidh Librazhdin me Ostrenin dhe është pjesë e unazës verilindore të vendit. Aktualisht po punohet në dy segmente, përkatësisht me gjatësi 10.5 kilometra dhe 30.5 kilometra.
Pasi u informua nga zbatuesit e projektit për fazat e tij, Berisha u shpreh se së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i segmentit Ostren - Ura e Cerenecit, me gjatësi 17 kilometra, i cili përmbyll unazën verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd.
Në një prononcim për mediat, kryeministri Berisha tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e saj të mëdha ekonomike, së pari turistike, por edhe potenciale të tjera minerare, bujqësore dhe të shumëllojta të kësaj zone. “Rruga që ndërtojmë - u shpreh Kryeministri - është një nga segmentet më kryesorë të Unazës Verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd, për të vazhduar më tej me unazën Juglindore që fillon në Librazhd, Pogradec, Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. Siç e shihni, ne po vazhdojmë me intensitet më të madh se kurrë ndërtimin e një infrastrukture moderne, të denjë për Shqipërinë vend i zhvilluar. Rrugët e të gjithë këtyre zonave dhe në tërësi rrugët e Shqipërisë kanë qenë në të vërtetë rrugë të mundimshme. Ne po i kthejmë ato në rrugë moderne, të cilat krijojnë korridore të reja energjish të fuqishme të tregut, por i bëjnë shqiptarët krenarë me çdo metër katror të këtij vendi, i bëjnë shqiptarët të njohin potencialet e jashtëzakonshme të vendit të tyre dhe ta duan atë shumë më tepër”.
Kryeministri Berisha tha se rruga është e kontraktuar deri në Ostren dhe së shpejti do të kontraktohen 17 kilometrat e fundit të saj Ostren - Ura e Cerenecit dhe në këtë mënyrë, unaza verilindore Valbonë - Librazhd përfundon brenda vitit të 100 vjetorit të pavarësisë. “Nuk ka shpërblim më të madh për këta banorë, se sa të gëzojnë këtë infrastrukturë. Është edhe një mirënjohje për Skënderbeun, i cili bëri shumë beteja në këto male për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve”.
Gjatë inspektimit të rrugës, në zonën e njohur si Shkëmbi i Lunikut, Berisha u ftua të shtypë butonin e detonimit për hapjen e terrenit nga një masiv shkëmbor, për të mundësuar avancimin e rrugës.
Duke përgëzuar ekipin e inxhinierëve dhe punëtorëve për përkushtimin dhe punën e madhe që po bëjnë, kryeministri tha se kjo trajektore shkurton nga 71 kilometër në 58 kilometër distancën.
“Duhet të jemi realistë, - theksoi Kryeministri - se zonat në të dy anët e kësaj rruge janë zonat me infrastrukturë më problematike. Por, siç e shihni, ne po ndërtojmë aksin kombëtar të tyre, ndër më të mirat. I garantoj banorët se një e nga një, komunat e tyre do të zbresin me rrugë të asfaltuar në rrugën kombëtare. Kjo zonë deri në Ostren është një zonë me infrastrukturë shumë të rrënuar, por të cilën ne do ta ndërtojmë dhe shndërrojmë në një nga infrastrukturat më moderne. Ju e patë, këta janë njerëz jashtëzakonisht punëtorë, të frymëzojnë me punën e madhe që bëjnë dhe rrugët, të cilat janë baza e zhvillimit, shtojnë edhe më shumë dashurinë për këto zona dhe për të gjithë Shqipërinë”. Më pas, kryeministri Berisha u ndal në komunën e Steblevës ku u takua dhe me banorë të kësaj zonë, të cilët i garantoi për mbështetjen e qeverisë në investimet infrastrukturore, kanalizime dhe ujësjellës si dhe në rritjen e pagave e pensioneve.
“Kjo është alternativa jonë. Alternativa jonë është që aty ku ju jetoni, në Steblevë, në Valbonë, në Kala të Dodës e kudo të ndërtojmë një infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Të keni shkolla moderne. Sot në shkollat tuaja, këtu dhe në mbarë Shqipërinë, fëmijët lundrojnë në internet njëlloj si fëmijët e vendeve më të zhvilluara të Europës. Të keni rrugë të standardeve më të mira, kanalizime, ujësjellës. Pra të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Perspektiva e dytë e madhe për ju dhe mbarë Shqipërinë është turizmi malore. Asnjë nga ne që jemi këtu nuk mund të imagjinonte në vitin 2004 apo 2005 se në një hark kohor pesë vjeçar numri i turistëve në këtë vend do të rritej nga 300 mijë në 3.5 milionë. Ju garantoj se me ndërtimin e kësaj infrastrukture, në një hark kohor po kaq të shkurtër, miliona e miliona turistë nga rajoni dhe mbarë bota do të vërshojnë drejt zonave turistike malore të mrekullueshme të Librazhdit, Peshkopisë, Kukësit, Përmetit, Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë. Alternativa jonë ka vetëm një synim: mëkëmbjen tuaj. Ne bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka që ju me mundin, djersën, mundin tuaj të begatoni familjet tuaja. Rrugën prapë nuk e kemi të lehtë, por e kemi njëzet herë më të lehtë se atë që kishim njëzet vjet më parë. Sot ne jemi një vend anëtar i NATO-s. Sot, ju qytetarët e Steblevës dhe të mbarë Shqipërisë lëvizni të lirë në mbarë Europën. Ekonomia e vendit është një ekonomi solide, një ekonomi që i reziston krizës, ndërkohë që vende të tjera përjetojnë probleme dhe pasoja nga më dramatiket e krizës së borxheve. Në Shqipëri vazhdon rritja ekonomike. Në Shqipëri vazhdon rritja e rrogave, vazhdon rritja e pensioneve. Ju garantoj se çdo vit do të vazhdojmë t’i rrisim ato. Do të jetë shumë e afërt dita kur ju, gratë dhe burrat e Steblevës, të keni pensione të njëjta me të qytetit. Çdo javë, çdo muaj, çdo vit ne ndryshojmë këtë vend. Në një hark kohor pesë vjeçar ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi nëntëmijë kilometra rrugë. Unë ju garantoj ju, banorët në fshatrat e kësaj komune, në komunat e kësaj zone, se ky projekt do të vazhdojë deri sa çdo komunë të lidhet me rrugë të asfaltuar me rrugët kombëtare, deri sa çdo fshat të lidhet me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuar, deri sa çdo shqiptar të arrijë në kryeqytetin e vendit të tij, pavarësisht se ku banon, duke kursyer së paku 60 për qind të kohës që i duhet sot për të shkuar në Tiranë”, tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›