E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Unë besoj në vlerat e shenjta të familjes, Rama e përdor për tregti

BAJRAM CURRI - Ndërsa na ndajnë vetëm tetë ditë nga zgjedhjet e 23 qershorit, fushata elektorale “nxehet” çdo ditë e më tepër. Në takimin elektoral të zhvilluar sot në Bajram Curri, kryeministri Berisha nuk krahasoi vetëm alternativat politike të PD-së dhe PS-së por vijoi sulmet personale në drejtim të kryetarit të opozitës, Edi Rama. Shefi i qeverisë akuzoi liderin e PS-së për mashtrime e dështime si në rrafshin profesional, ashtu edhe në jetën private.

“Më 23 qershor përballen jo vetëm dy alternativa por dhe dy modele. Modeli i Sali Berishës, që bazohet në djersën e ballit, në punën me nder. Modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet në vokacionin, në ëndrrën tonë europiane që bën gjithçka që ne të arrijmë sa më shpejt stacionin më të shkëlqyer të të ardhmes tonë, BE-së. Modeli juaj dhe i Sali Berishës, që beson tek familja, vlerat e shenjta të saj, beson tek Shqipëria dhe e ardhmja. Modeli tjetër është ai i Edi Ramës, njeriu që nuk ka lënë fjalë të ndyrë pa hedhur mbi vendin e tij dhe Shqipërinë, por dhe mbi socialistët që sot vetë i drejton. Modeli i Edi Ramës është modeli i përçmimit, gjer në urrejtje ndaj çdo kundërshtari, njeriu që agreson me brutalitet dhe fizikisht cilindo që kundërshton mendimet e tij të zeza. Modeli i Ramës është modeli për të cilin familja është treg dhe vetëm tregti. Martohet dhe ndahet sa herë kërkon të fitojë më shumë vota në zgjedhjet e radhës që i humbet gjithnjë”- u shpreh Berisha.

Sipas liderit të demokratëve, Rama synon të nxijë zhvillimin e vendit, duke mohuar arritjet dhe sukseset e qeverisë.

“Alternativa tjetër është alternativa e nxirjes, pesimizmit, poshtërimit të gjithçkaje që ju keni realizuar. Në krye të fushatës pasagjeri i autobusit mavi shpalli Shqipërinë tuaj, Shqipërinë anëtare të NATO-s, Shqipërinë që meritoi statusin e kandidatit, e shpalli Shqipërinë e gënjeshtrës. NATO-n e vlerësoi si natë, njëlloj si etërit e tij. BE-në si asgjë dhe të ardhmen tuaj si inekzistente që s’ka vlerë. Ai kërkon me çdo kusht poshtërimin e njerëzve të lirë, që i kanë kthyer shpinën mashtrimeve të tij.”- u shpreh Berisha.

Më tej ai kërkoi mbështetjen e banorëve të Bajram Currit për një tjetër mandat, duke u premtuar më shumë punësim, investime e mirëqenie.

Ju drejtoj një thirrje vllazërore të gjithë socialistëve të mbarë Shqipërisë, bashkohuni me ne. Sepse ju bashkon me ne përpjekja për të ndërtuar një infrastrukturë dinjitoze moderne, kudo që jeni. Ju bashkon përpjekja për krijimin e vendeve të punës, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për Tropojën turistike, Shqipërinë turistike. Alternativa jonë është për çdo demokrat, çdo socialist, çdo të pa parti.”- tha kryeministri.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›