E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni amerikan: Mirënjohje Shqipërisë për 210 muxhahedinët

SHBA - Kongresmeni amerikan, Dana Rohrabacher, ka falënderuar Kryeministrin Berisha për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të strehuar 210 muxhahedinë. 

Gjatë një fjalimi prej 60 sekondash të mbajtur në Dhomën e Përfaqësuesve, anëtari nga Kalifornia është shprehur se “Shqipëria është një anëtare e NATO-s që vazhdon të kontribuojë me trupa në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan dhe ka marrë pjesë në çlirimin e Irakut, e udhëhequr nga SHBA. Ajo tani aspiron për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në kontrast me diktaturën ateiste që ajo la pas, sot kishat dhe xhamitë shqiptare janë plot. Në mënyrë të ngjashme, ekonomia marksiste është zëvendësuar me një ekonomi tregu në zgjerim”. Sipas tij: “Amerika mund t’i jetë veçanërisht mirënjohëse qeverisë së Shqipërisë dhe Kryeministrit shqiptar Sali Berisha, e cila ka qenë një aleate e patundur e kombit tonë. Kohët e fundit, kur SHBA kishin nevojë për disa vende të gatshme për të siguruar azil për anëtarët e MEK që janë bllokuar tani në Irak, Kryeministri Berisha ka rënë dakord të pranojë rreth 210 anëtarë të atij grupi – shumë më tepër nga sa ishte i gatshëm për të marrë çdo vend tjetër”.

Kongresmeni amerikan tha më tej se “kjo ishte një shenjë e besimit të mirë dhe miqësisë që këta njerëz nuk do t’i harrojnë shpejt. Duhej guxim i vërtetë për Kryeministrin Berisha për ta bërë këtë ofertë bujare. Në këto kohë të pasigurta është e rëndësishme të dini se cilët janë miqtë tanë. Kryeministri Berisha, ju falënderoj që jeni mik besnik i Amerikës”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›