E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Unë më i vjetër se Rama, por më pranë të rinjve

Kreu i qeverisë shqiptare z. Sali Berisha ka ironizuar kryetarin e PS, Edi Rama duke u shprehur “ndonëse jam më i vjetër se zoti Rama gjendem më pranë të rinjve “. Këtë deklaratë Kryeministri e bëri përpara Forumit Rinor Demokrat në Ballkan, me të cilët po mban një takim. Gjatë fjalës së tij Berisha i ka konsideruar të rinjtë si një pjesë mjaft e rëndësishme e vendit dhe si ndihma themelore në të ardhmen në politikë. Më tej ai theksoi se aspekti më i rëndësishëm i reformave është arsimi dhe se po punohet shumë për përmirësimin e universiteteve.

“Në kohën e diktaturës, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara. Kur u bëra President i vendit, standardet kanë qenë minimale, por ekipi im ka punuar për reforma të thella, kam luftuar për vlerat demokratike që kam besuar. Aspekti më i rëndësishëm i reformave është arsimi dhe po punohet shumë për përmirësimin e universiteteve, kemi bërë të mundur shtrirjen e linjave të internetit në çdo shkollë dhe tashmë në nivelin Master të universiteteve është futur edhe mbrojtja e Toefli-t. Ju jeni pjesë mjaft e rëndësishme e vendit dhe ndihmë themelore në të ardhmen në politikë. Bojkoti i opozitës ka lënë gjurmë negative në jetën politike të vendit, megjithatë sfidë e qeverisë tonë mbetet integrimi në Bashkimin Europian”-tha ai.

Në vazhdim Kryeministri i vendit ka bërë një panoramë të gjendjes dhe zhvillimeve të fundit në vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›